E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinsto kërkon heqjen e vizave me Japoninë

Gjatë vizitës në Tokio, Haxhinasto u prit në një takim të veçantë nga ministri japonez i Punëve të Jashtme, Koichiro Gemba, ku u përkujtua edhe 20 vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Në takim u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve tona, bashkëpunimin në organizatat ndërkombëtare, si dhe mbi zhvillimet në rajonet respektive të dy vendeve. Gemba theksoi se kjo vizitë do të forcojë më tej marrëdhëniet midis dy vendeve. Japonia, tha z. Gemba mbështet reformat që Shqipëria ka ndërmarrë, duke marrë parasysh që është edhe një vend anëtar i NATO-s.

Në vazhdim, ai tha se Shqipëria ka një rëndësi të veçantë për stabilitetin e gjithë rajonit të Ballkanit. Në fjalën e vet, Haxhinasto nënvizoi përparësitë që ofron Shqipëria për investimet japoneze, si një vend me kontribute për paqen dhe stabilitetin në rajon, një vend me një pozicion gjeografik të favorshëm dhe që në të ardhmen do të jetë vend anëtar i BE-së. Investimi në Shqipëri nënkupton investim në një rajon më të gjerë, sepse Shqipëria është porta hyrëse për një treg rajonal, që po ecën me hapa të shpejtë drejt një integrimi rajonal dhe më tej drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Një nga objektivat parësore të politikës së jashtme shqiptare, tha z. Haxhinasto, mbetet lëvizja e lirë e shtetasve shqiptare, si dhe e të huajve në vendin tonë. Tashmë Shqipëria lëviz pa viza në zonën Shengen dhe ka nënshkruar një seri marrëveshjesh për lëvizjen pa viza me mjaft vende, së fundi edhe me Brazilin. Besoj, tha ai, se tashmë është koha që të hiqen vizat për shtetasit shqiptarë për të vizituar Japoninë.

“Shqiptarët udhëtojnë me dokumente biometrike të një shkalle mjaft të lartë të elementeve të sigurisë dhe është një popull që di të respektojë rregullat e lëvizjes së lirë, gjë e cila u vërtetua së fundmi me liberalizimin e vizave me vendet evropiane”, tha Haxhinasto

. Ministri japonez, z. Gemba tha se duhet të punohet bashkërisht për të realizuar heqjen e vizave. Si hap të parë, tha ai, mund të realizojmë së shpejti dhënien e vizave me afate të gjata dhe me shumë-hyrje dalje, dhe si hap i dytë, do të jetë heqja e plotë e vizave. Dy bashkëbiseduesit shprehen angazhimin për të punuar së bashku për të realizuar heqjen e vizave, ndërsa theksuan se një gjë e tillë do të lehtësojë disa kategori të caktuara, veçanërisht komunitetin e biznesit dhe do të favorizojë shkëmbimet turistike. /Start/

                                                                                             2011-11-22 16:17
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›