Haxhiu dekreton lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve serbë

PRISHTINË, 21 korrik/ATSH/ Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, pas vendimit të djeshëm të Këshillit Prokurorial të Kosovës për refuzimin e kërkesës për tërheqjen e dorëheqjeve të tyre.
Haxhiu theksoi se ky veprim është ndërmarrë në zbatim të vendimit të institucionit kompetent dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
“Pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022, kam nënshkruar dekretet për lirimin e tyre nga detyra. Me këtë akt përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Shteti ynë funksionon mbi parimet e rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit. Askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve dhe as të krijojë paqartësi juridike përmes proceseve të papërfunduara. Republika e Kosovës do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri, në përputhje me ligjin dhe në mbrojtje të integritetit të institucioneve të saj”, shkroi ajo në Facebook.
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) më 20 korrik ka refuzuar kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të shtatë prokurorëve dhe 15 anëtarëve të stafit mbështetës të komunitetit serb për t’u rikthyer në sistemin prokurorial të Kosovës. KPK-ja i dërgoi te institucioni i Presidentit emrat e prokurorëve për lirim nga detyra. Po ashtu, në këtë takim, Këshilli shfuqizoi vendimin për pezullimin e pagave për prokurorët dhe stafin mbështetës serb.
Ish-prokurorët serbë kishin kërkuar që t’u mundësohej rikthimi në vendet e tyre të punës, pasi kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, kur përfaqësuesit serbë u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të vendit./KosovaPress/