E Diel, 1 Nëntor 2026

Haziri: Me nënshkrimin e marrëveshjes nuk preket Kosova

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të jashtme, si dhe ai për Integrime Evropiane, kanë qëndrime të ndryshme sa i përket dështimit të nënshkrimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

Përderisa Lutfi Haziri, nga Komisioni për Integrime Evropiane potencon se me nënshkrimin e marrëveshjes nuk preket Kosova, kurse Albin Kurti nga Komisioni për Punë të Jashtme, shprehet se pas dështimit të mbrëmshëm në Bruksel nuk ka vend për entuziazëm pasi sipas tij dialogu nuk ka përfunduar.

Kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, shprehet optimist se para mbledhjes së Këshillit të Ministrave, më 16 prill, Kosova dhe Serbia mund të arrijë marrëveshje mes veti. Për Hazirin, Kosova nuk mund humbur, por as nuk fiton nga nënshkrimi apo mos nënshkrimi i marrëveshjes.

“15 prilli është përmendur gjithmonë si datë e rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë. Unë besoj se Kosova nuk do të preket nga nënshkrimi apo mos nënshkrimi i marrëveshjes. Kosova do ta merr rekomandimin dhe do të hyjë në negociata për MSA-në, që përfshinë edhe dialogun për liberalizimin e vizave si proces i ndarë por jashtëzakonisht i rëndësishëm, në mënyrë që të mos bëhemi peng i sjelljes së Serbisë”, tha Haziri.

E ndryshe mendon kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Albin Kurti. Ai thekson se çfarëdo marrëveshje me Serbinë do të jetë e dëmshme për Kosovës.

“Çfarëdo marrëveshje me Serbinë, do të ishte një marrëveshje shumë e dëmshme për Kosovën. Në anën tjetër, dështimi i mbrëmshëm në Bruksel, nuk ka vend për entuziazëm, për shkak se përkundër faktit që s`u arrit marrëveshja dialogu nuk është shpallur i përmbyllur. Përpjekjet për të arritur një marrëveshje do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim”, tha Kurti.

Sipas Lutfi Hazirit, angazhimet shtesë dhe trysnia e faktorit ndërkombëtar mbi Serbinë, për nënshkrimin e marrëveshjes mund të shtohen gjatë ditëve në vijim. Haziri potencon se Serbia duhet të përballet me pasojat e mos nënshkrimit të marrëveshjes së djeshme./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›