E Shtunë, 31 Tetor 2026

Disa banka anulojnë komisionet mbi llogaritë

Konkurrenca

Një vendim i qeverisë për të liberalizuar tregun e shërbimeve bankare që u ofrohen punonjësve të administratës publike, duket se ka shtuar konkurrencën dhe i ka shtyrë disa banka të anulojnë komisionet mujore të mirëmbajtjes së llogarisë, që qenë vendosur disa vite më parë. Që nga viti 2004 e prapa, bankat fituan tregun e transferimit të pagave të 166 mijë punonjësve të sektorit publik në Shqipëri dhe e përdorën këtë mundësi për t’i ofruar punonjësve shërbime shtesë, si kartat e debitit apo kreditë overdraft. Fillimisht, secila prej ministrive apo institucioneve, zgjidhte njërën prej bankave të pranishme në treg dhe i detyronte punonjësit të bëheshin klientë të asaj banke. Për pasojë, duke qenë se për të marrë rrogën duhej domosdoshmërisht të hapje llogari në një bankë, bankat vendosën tarifa mujore “për mirëmbajtjen e llogarisë”. Një komision i tillë varion në 1-2 euro për llogari. Për mbajtjen e kartës së debitit zbatohen komisione mujore shtesë. Vitin e kaluar, nën presionin e disa bankave që nuk patën përfituar nga ky biznes, qeveria urdhëroi institucionet nën varësinë e vet që të transferojnë pagën te banka e përzgjedhur nga vetë i punësuari. Nuk ka pasur deri tani ndonjë emigrim të konsiderueshëm të klientëve nga një bankë te një tjetër, por disa prej bankave kanë vendosur sakaq të zerojnë ose të ulin një pjesë të komisioneve me qëllim që të shkurajojnë largimin e klientëve të fituar më herët.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›