Hebrenjtë në Shqipëri, ekspozitë në Muzeun Kombëtar
TIRANë- Fotografi dhe dokumenta mbi qëndrimin e hebrenjve në vendin tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore u prezantuan mesditën e së hënës në një ekspozitë në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Gjatë ceremonisë u zbulua dhe një pllakë nderi, e cila do të bëhet pjesë e pavionit të Luftës së Dytë Botërore. Në këtë pllakë të mundësuar nga Xhek Goldfar, një gazetar izraelit, janë shënuar emrat e shqiptarëve të cilët ndihmuan hebrenjtë e gjendur në Shqipëri në atë periudhë të vështirë të jetës së tyre. Gjatë zbulimit të pllakës, kryetari i shoqatës së miqësisë Shqipëri-Izrael, Petrit Zorba, u shpreh se "në këtë pllakë shënohen vetëm disa prej emrave të cilët ndihmuan hebrenjtë, por të gjithë ne jemi të bindur se shqiptarët që kanë kontribuar në këtë kohë me ndihmën e tyre kanë qënë më shumë. Madje ne mund të themi se Shqipëria ka qënë i vetmi vend në botë, ku numri i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore u rrit ndjeshëm në krahasim me vendet e tjera". Ambasadori i ri i Izraelit në vendin tonë, David Kohen, në fjalën e tij shprehu kënaqësinë "që në ditën time të parë si ambasador, pas takimit me Presidentin Topi, të marr pjesë në një aktivitet të tillë, ku flitet për miqësinë mes dy vendeve tona". Kjo ekspozitë do të jetë pjesë e pavionit të Luftës Antifashiste Nacional çlirimtare. (e.n/ata/BalkanWeb)