E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hekurudha Shqiptare: Rrezik, shembja e traseve



Prej disa ditësh kanë nisur punimet për zgjerimin e aksit nacional tepër të rëndësishëm Plepa-Rrogozhinë. Por duket se të papriturat e punimeve të para nga firma nuk kanë munguar të shfaqen qysh ditët e para, pasi mjetet e saj rrezikojnë të shembin trasenë hekurudhore e bashkë me të edhe daljen e ndonjë treni nga shinat.

“Firmat e ndërtimit të cilat po merren me rikonstruksionin e kësaj rruge, nuk po respektojnë marrëveshjen e arritur mes tyre dhe Hekurudhës Shqiptare, sipas së cilës, për çdo metër trase të gërmuar, duhet ngritur mur mbrojtës. Deri tani kjo pikë e marrëveshjes është shkelur prej këtyre firmave”, - ka deklaruar për “standard” drejtori i Hekurudhave Shqiptare, Zamir Ramadani. Në HSH, drejtuesit janë të shqetësuar për këtë situatë pasi në këtë stinë të vitit, me reshje që nuk kanë të sosur, rreziku i shembjes së trasesë është i mundshëm, pasi janë cenuar 5 km trase dhe ende nuk është ngritur muri mbrojtës.

Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve nisi nga puna për zgjerimin e rrugës Plepa-Rrogozhinë, pjesë e Korridorit Tetë. Kjo rrugë do të zgjerohet dhe do të bëhet me 4 korsi. Për këtë qëllim, më parë ishte kryer edhe tenderi për zgjerimin e këtij segmenti 35 km të gjatë. Të drejtën për zbatimin e këtij projekti e fituan tri firma ndërtimi të cilat tashmë të ndara në tri lote kanë nisur nga puna. Por për realizimin e këtij projekti është dashur cenimi i trasesë hekurudhore nga Plepat deri në afërsi të Kavajës për të shmangur tokat në pronësi private, në anën tjetër është cenuar traseja hekurudhore deri tashti në 5 km gjatësi. Të gjendur përpara rrezikut të shembjes së trasesë në këtë sezon me shira, drejtuesit e HSH-së njoftuan ministrin Olldashi, i cili dy ditë më parë ka inspektuar vetë punimet e deritanishme. Punonjës të sektorit të infrastrukturës në Drejtorinë e Rrugëve deklaruan për “standard”: “Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve u vu në lëvizje dhe organizoi një takim mes përfaqësueseve të Hekurudhës dhe firmave të ndërtimit.

Në takim u ra dakord që firmat e ndërtimit për çdo metër trase të shembur duhet të ndërtojnë mur mbajtës dhe jo barriera për pengimin e shembjes së dherave siç kanë bërë deri tashti.

Rruga Plepa-Rrogozhinë nga një segment me 2 korsi do të transformohet në një rrugë me 4 korsi në mënyrë që të përballojë fluksin e automjeteve që lëvizin nga jugu drejt Shqipërisë së Mesme dhe anasjelltas si dhe fluksin në drejtim të kufirit maqedonas”. Por mungesa e zbatimit të kësaj pjese të projektit rrezikon seriozisht hekurudhën si dhe është premisë për aksidente hekurudhore dhe ngjarje të jashtëzakonshme. Të gjendur përballë këtij rreziku, drejtuesit e Hekurudhave Shqiptare, gjatë gjithë këtyre ditëve me reshje shiu kanë ngritur në alarm një pjesë të mirë të punonjësve të cilët kanë për detyrë inspektimin non stop të këtij segmenti hekurudhor kaq të rëndësishëm, ku çdo ditë lëvizin 8 trena udhëtarësh dhe mbi 16 të tillë mallrash.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›