E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria etnike – ëndërr a realitet?



Tema për Shqipërinë etnike nuk është më temë tabu. Janë hapur debate, kanë shkruar autorë të ndryshëm libra, pati intervista, dhjetëra shkrime. Madje, edhe ndonjë nga televizionet shqiptare Shqipërinë etnike ka filluar ta trajtojë në mënyrë pozitive, pa thumba dhe pa cinizmin karakteristik të dikurshëm. Shqipëria etnike për televizionet e Kosovës e të shqiptarëve në Maqedoni edhe më tutje është temë që nuk del në pah (temat multietnike në Prishtinë dhe në Shkup na mbytën sikurse dikur temat për vëllazërim-bashkimin). Natyrisht në Prishtinë dhe në Shkup autorët e këtyre emisioneve të mundshme kombëtare nuk do të ndiqeshin me tërbim, ashtu sikurse ndiqeshin dikur, por që do të kishin pasoja, kjo s’ka fije dyshimi. Prandaj, janë vigjilentë e nuk u hyjnë gjërave të këtilla. Ndonjë televizion i dorës së tretë përpiqet t’u bëjë qefin ndërkombëtarëve dhe të krijojë komb të ri nga shqiptarët e Kosovës, në shekullin XXI synon të bëjë edhe gjuhë të re!

Ndërkaq, po të bëhej ndonjë hulumtim i opinionit, do të dilte se pjesa dërrmuese e popullatës në Kosovë, në Maqedoni, Mal të Zi e në Luginën e Preshevës janë për Shqipërinë etnike. Arsyet janë të shumta. Ata duan të jetojnë në një shtet kombëtar, meqë janë ngopur dhe janë lodhur nga pozita e qytetarit të rendit të dytë në Maqedoni e në Mal të Zi dhe nga qytetarët objekt të policisë serbe në Kosovën Lindore – Luginën e Preshevës.

Një shtet i fortë a dy shtete të dobëta?

Për shkak të koniunkturave politike apo raporteve të caktuara ndërkombëtare shqiptarët e mbetur jashtë kufijve kombëtarë do të tolerojnë pozitën në të cilën janë, mirëpo po iu dha rast më i mirë, natyrisht që do t’u japin shqelmin shteteve surrogate apo tutelës së huaj. Për këtë dhe shumë arsye të tjera që do të përpiqemi t’i shtrojmë në vazhdim, shqiptarët më parë do të zgjidhnin një shtet të fortë të centralizuar sesa dy shtete të dobëta shqiptare që përkulen sipas presioneve të bashkësisë ndërkombëtare, të fqinjëve agresivë e të dhunshëm apo edhe shteteve të huaja që e kanë në zotërim një pjesë të territorit shqiptar.

Pos romantizmit nacional që është gjëja më sublime e një kombi (paçka që jokombëtarët, komunistët dhe kozmopolitët e cilësojnë si diçka të shëmtuar a primitive, sidomos e shëmtuar u duket nëse është nacionalizëm romantik shqiptar), janë edhe faktorët praktikë ata që kanë ndikuar që shqiptarët e hutuar e të frikësuar në të kaluarën ta kërkojnë shtetin kombëtar tash në kufijtë etnikë, historikë e të natyrshëm. Është gjuha e përbashkët, është kultura e njëjtë, tradita, historia e përbashkët, është gjaku i njëjtë, ajo që i bën të homogjenizohen në një shtet, sikurse që në një shtet kombëtar do të bëhej ekonomia shumë më e fortë, siguria më e madhe (shtetin e fortë nuk do ta kërcënonin e ta frikësonin as Serbia, as Greqia), prodhimtaria do të dyfishohej, tregu do të ishte më stabil dhe më joshës për perëndimorët etj. Pastaj breza të tërë të shqiptarëve në veri e në jug sakrifikuan shumë për mbrojtjen e Shqipërisë dhe për ribërjen e Shqipërisë etnike, fakt që nuk guxojmë ta lëmë anash asnjëherë. Ata nuk luftuan për Shqipërinë londineze, as për vetëm Kosovën e vogël të cilën e kemi në kufijtë e tashëm pa Shkupin, Tetovën, Preshevën e qytetet e tjera, ata luftuan që ta kenë Shqipërinë prej Tivari deri në Prevezë.

Në BE me një a dy shtete shqiptare?

Ashtu sikurse e tha me të drejtë në një emision televiziv lideri i opozitës së shqiptarëve në Maqedoni, Menduh Thaçi, problemi i Shqipërisë etnike është brenda Shqipërisë, përkatësisht te një pjesë e këtyre strukturave, sepse të tjerët e mbështesin këtë gjakim ose pjesa dërmuese e tyre e duan një shtet të fortë kombëtar që do t’i mbronte interesat e tyre. Deri vonë ndaj Shqipërisë etnike pati qëndrim negativ, propagandë morbide dhe frikësim sistematik të opinionit që e bënin mediat, e cytnin zyrtarët dhe, sidomos i frynte zjarrit për të keq një pjesë e shërbimit sekret të nomenklaturës së vjetër. Ky disponim armiqësor ndaj Shqipërisë etnike apo bashkimit kombëtar, mbështetej fuqishëm nga mbeturinat e shërbimit sekret të Ramiz Alisë, pastaj të Fatos Nanos etj., kështu që kur ua përmendje njerëzve të zakonshëm këtë gjë, kërcenin si djalli duke e refuzuar në mënyrë kategorike. Ashtu i kishin mësuar dhe ashtu ua kishin mbushur mendjen, pastaj ia kishin frikën luftës.

Derisa në pjesën më të madhe të qarqeve intelektuale e të opinionit që di të mendojë me kokën e vet dhe me arsye të shëndoshë ishte kristalizuar çështja se Shqipëria etnike është gjëja më e mirë që mund të bëhet realitet një ditë të afërt, strukturat e dikurshme që kanë mbetur në skenën politike shqiptare ende përpiqen t’i kundërvihen këtij projekti, duke nxjerrë njëqind arsye kundër. Një herë thonë se shqiptarët e mbetur jashtë shtetit shqiptar do të hyjnë në BE të integruar, por ato integrime jo vetëm se nuk i specifikojnë se a do të hyjnë në kuadër të një a dy shteteve shqiptare apo me shtete sllave, ku janë shumë shqiptarë, por i mjegullojnë gjërat me synim për t’i neutralizuar përpjekjet për veprim të atyre që do të mund të prishnin baraspeshën ballkanike, ku shqiptarët janë më së keqi. Herën tjetër dalin në mbrojtje herë të një shteti sllav, herë të një shteti tjetër po ashtu sllav, thuajse janë shtetas a zyrtarë politikë të atij shteti. Këtë përshtypje ma dha Milo jo vetëm në emisionin e TV Klanit, por edhe në disa emisione të tjera të mëparshme, sikurse që shihet fare qartë se ai nuk ka ndryshuar që nga koha kur Fatos Nano u thoshte shqiptarëve të Kosovës se kryeqytet e kanë Beogradin e jo Prishtinën apo Tiranën. Milo, me gjuhën e mjegullt për integrimet evropiane, përpiqej t’i hidhte hi syve t[ opinionit dhe bashkëbiseduesve, madje jo rrallë derisa bashkëbiseduesi i tij, Menduh Thaçi, që supozohej se e njeh gjendjen në Maqedoni, i jepte shembuj të bollshëm se në integrimet evropiane do të pranohesh si shtet e jo si komunitet i pangjyrë, ndërsa në shtetin e Maqedonisë shqiptarët janë të diskriminuar, janë të diskriminuar në çdo situatë edhe shqiptarët e Shqipërisë e të Kosovës, të cilëve u dalin pengesa në qarkullim nëpër këtë shtet, nuk u lejohet të investojnë, ndërsa nuk kanë pengesa serbët, përkundrazi janë të privilegjuar, Milo përpiqej t’ia mohonte këto gjëra, sikurse të ishte zëdhënës i shtetit maqedonas!

Sikur të ishte i vetëm as që do të përmendej, mirëpo i takon asaj garniture të zëshme që e kanë vështirë të transformohen, edhe më vështirë ta pranojnë Shqipërinë etnike.

Gogoli i Shqipërisë së Madhe

Shqipëria e madhe sikurse quhej Shqipëria etnike për pjesën më të madhe të propagandës jugosllave e serbe ishte gogoli më i frikshëm, kuçedra më e rrezikshme me të cilën i frikësonin dhe i mobilizonin serbët, i tmerronin jugosllavët, ua turbullonin mendjen pjesës tjetër të Ballkanit me synimin që ta ndërsejnë kundër shqiptarëve, sikurse që përpiqeshin ta alarmonin Evropën. Me gogolin e Shqipërisë së madhe, që nuk ishte askund, pos në mendjet e njerëzve, ata e përgatitën terrenin për masakra në gadishull, ndërsa në fakt përpiqeshin të bëjnë pastrim etnik ashtu sikurse që kishin bërë në të kaluarën, duke vrarë e dëbuar shqiptarë nga krahina e Toplicës dhe e Nishit. Në këtë mënyrë një ëndërr e natyrshme e një kombi të ndarë në mënyrë të dhunshme, paraqitej si ëndërr a veprim kriminal që duhej ndëshkuar jo vetëm nga shtetet fqinje, të cilat kishin gllabëruar territore shqiptare, por njëkohësisht ishte qëllimi parësor i serbëve që europerëndimorët të toleronin gjenocidin ndaj shqiptarëve sikur e kishin lejuar në të kaluarën.

Nga serbët, grekët e maqedonasit ishte e pritshme një propagandë e këtillë agresive kundër mundësisë së bashkimit të territoreve etnike shqiptare, mirëpo subjektet politike shqiptare dhe zyrtarët më të lartë në Tiranë dhe në Prishtinë ç’patën? Kush u bëri aq shumë presion që të deklaroheshin që në fillim se janë kundër bashkimit kombëtar, se nuk e duan Shqipërinë e madhe, sikurse e cilësonin pa të drejtë Shqipërinë etnike, se edhe shqiptarët janë kundër kësaj krijese, gjë që nuk ishte e vërtetë etj. Këtë gjë e thoshin zëshëm ata që ishin në pushtet, mirëpo këtë gjë e thoshin edhe më zëshëm edhe ata që ishin në opozitë dhe që nuk ua kërkonte askush, sepse ajo që i tolerohet opozitës, nuk i lejohet pozitës ose shihet pak më ndryshe, përkatësisht qendrat e fuqishme të vendosjes ua shohin për të madhe zyrtarëve në pushtet. Kështu, në vend se të luanin lojëra politike në të mirë të kombit, dhe për t’i dhënë hapësirë më të madhe opsionit për Shqipërinë etnike, ata ia hanin veshët pozitës dhe e bënin që të rrudhej edhe më shumë në kërkesat politike të shqiptarëve jashtë Shqipërisë londineze. Pozita dhe opozita në Shqipëri, besa kohëve të fundit edhe në Kosovë, më shumë merren me problemet se sa lekë keqpërdori kundërshtari, sa gafa bëri, si ta rrëzojnë nga pushteti, në vend se të merret me të ardhmen e kombit dhe të Shqipërisë etnike.

Qëndrim të kundërt me këtë meskinitet shqiptar pati subjekti politik në Kosovë dhe në territoret etnike shqiptare që në fillim të viteve nëntëdhjetë. Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, edhe në ish-okupim e pati bërë hapin e parë për bashkimin kombëtar. Qysh në atë kohë në vendin e okupuar dhe nën një terror të egër shtrohej çështja e Shqipërisë etnike, sipas ëndrrës së rilindësve, madje Presidenti Ibrahim Rugova e pati shtruar si opsion që më 1991, në kohën kur në Shqipëri shtroheshin parimet elementare se si të rrëzohej diktatura më e egër në Evropë, si të konsolidohet shteti ligjor, sepse ishte kjo diktaturë me nomenklaturën e vjetër armiku kryesor i të gjithë shqiptarëve.

Shqipëria etnike në fjalorin e pozitës dhe të opozitës

Pozita, përkatësisht zyrtarët në pushtet, vazhdimisht i shmangen ballafaqimit me emërtimin Shqipëri etnike. Këtë gjë e bëjnë si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë. Kësaj i ikin edhe në Shkup. Madje, ku e ku nga droja se bashkësia ndërkombëtare do t’i akuzojë për nacionalizëm a prishës të baraspeshës ndërkombëtare, zyrtarë të ndryshëm nxitojnë ta gjykojnë e ta dënojnë këtë “kuçedër” që ua rrezikon pushtetin. Opozita që do të duhej pastaj ta stigmatizonte pushtetin dhe të nxiste elektoratin për një qasje ndryshe, përkatësisht për të krijuar atmosferë ku kapitali, idetë dhe mallrat do të lëviznin lirshëm, të paktën në hapësirën shqiptare të të dy shteteve shqiptare, e kopjojnë ku e ku pozitën, ndonjëherë janë edhe më të ngurtë, duke e përdorur gjuhën e mëhershme të integrimeve evropiane, ku shqiptarët nuk dihet se si do të shkojnë: si dy shtete, një shtet, në kuadër edhe të shteteve sllave etj. Dhe duket se këta opozitarë të zellshëm për të kapur majat e pushtetit sikur ia bëjnë me sy asaj pjese të bashkësisë ndërkombëtare që është e interesuar të ruajnë status quo-në në Ballkan për t’i ndihmuar.

Për dallim nga ngurrimi i pushtetarëve dhe atyre që janë te dera për pushtet, pra të opozitarëve, qëndrimi dhe disponimi i pjesës më të madhe të opinionit është ndryshe. Këtë e dëshmojnë hulumtimet e opinionit publik, këtë e dëshmojnë debatet e ndryshme të cilat janë të lira, nuk e kanë ngurrimin e dikurshëm dhe njerëzit flasin ashtu si ua merr mendja.

Është inkurajues fakti se për dallim nga e kaluara, tash pjesa dërmuese e shqiptarëve e duan Shqipërinë etnike, sepse aty e shohin të ardhmen e tyre, aty e shohin sigurinë më të madhe dhe aty e shohin edhe zhvillimin më inkurajues ekonomik.

Sipas një ankete që u bë ad hoc nga një televizion shqiptar, 78 për qind e shqiptarëve janë për Shqipërinë etnike, që është e dhënë inkurajuese nga anketimet e dikurshme, të cilat bëheshin me druajtje. Mirëpo duket pak dëshpërues fakti tjetër se nga kjo përqindje e atyre që ishin për Shqipërinë etnike nuk ishin të paktë ata që kishin frikë se me shtruarjen e kërkesave të natyrshme për Shqipërinë etnike në kufijtë ku shqiptarët janë shumica dhe në kufijtë e asaj Shqipërie që ishte dikur, ata kishin frikë se do ta destabilizonin gadishullin, se do të cytej ndonjë luftë e re, se nuk do të kishim mbështetjen e të tjerëve etj. Me një fjalë, ata i donin territoret etnike me shtetin si kapele e kësaj hapësire, mirëpo sipas deklarimit të çunave dhe çupave të një emisioni, ata frikësoheshin, pra nuk donin të sakrifikonin, nuk donin të prishnin baraspeshën në Gadishullin Ilirik. Ata nuk e sqaronin dhe nuk e arsyetonin më thellë këtë frikë, por e manifestonin fare qartë. Duket se atyre ua kishin kultivuar një dëshirë për njerëzit e gjakut e të gjuhës, por krahas kësaj ua kishin kultivuar një frikë të paarsyeshme dhe të dëmshme, që manifestohej madje edhe në debate, e lëre më si mundësi që të realizohej. Ata, nga ndikimi i mediave, mentorëve dhe mendësisë së vjetër që kishte lënë vulë edhe në mendjet e tyre të reja, ende e kishin kompleksin se janë më të dobët sesa fqinjët, se nuk do të fitojnë etj. Pra, ata kishin avancuar shumë krahasuar me prindërit e tyre të cilët dikur i iknin kësaj teme me frikë, por nuk ishin të gatshëm të ballafaqoheshin konkretisht me mundësinë e realizimit të Shqipërisë etnike. Apo mbase intervistat e një televizioni ishin bërë me çuna e çupa të cilët ishin përgatitur më parë nga mentorët e tyre që të shprehnin droje nga kjo gjë, por të mos e ngufasnin simpatinë.

Mos të harrojmë se jo shumë vjet më parë, as Akademia Shqiptare e Shkencave dhe as njerëzit e zakonshëm nuk mendonin se Kosova do të bëhej e pavarur. Raportet në Gadishullin Ilirik kanë ndryshuar ndjeshëm, kufijtë janë prishur dukshëm. Ajo që dje dukej fiksion, sot mund të bëhet fare lehtë realitet, vetëm se për këtë gjë lypet besim, veprim, sakrificë dhe mençuri.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›