Hekzametri i Dakajt, test për masën klasike të shqipes
Shum i nderueshmi Zoti Doktor,
Tue dijtë se interesohesh dhe gzohesh kur ke rasën të shofish ndonji pendë të re, qi i jep ndihmesën e vet letërsisë dhe prodhimit letrar shqip, kam nderin të të dërgoj disa përkthime nga auktorët klasikë latinë e grekë.
Këto punime janë të bame prej nji djaloshi, i cili, me sa gjykoj unë, do të dalë me kohë një lavrues i mirë i poezisë shqiptare. Asht e para herë qi punimet e tij po dalin në dritë në shtypin shqiptar, me pseudonimin “Basho Jona”.
Sikurse do t’a shofish, përkthyesi në këto copa qi po të dërgoj asht përpjek të ruej masat klasike t’origjinalit.
Të lutem, mbasi edhe vetë përkthyesi dishron të ket mendimin t’and, të më shkruejsh tue më çfaqë gjykimin e vlefshëm t’andin përsa i përket i masës, mbrendis, përkthimit dhe frymës së gjuhës shqipe, të përdorun ndër këto vjersha të zgjedhura prej riprodhimit të tij.
Tue të falenderuem qysh tani për ket mundim qi do të marrish, të falem me shndet nga zemra dhe jam
Miku yt
Karl Gurakuqi
Fort i ndershmi Zotni profesor Gurakuqi,
Përkthimet e Zotnis Basho Jona qi keni pasë mirësin e madhe me më dërgue, m kanë çue interesin shum të gjallë, edhe këto për shkak të dyfishëm: prej pikëpamjes së çvillimit të letratyrës dhe gjuhës shqipe, edhe prej dashunis së auktorëvet klasikë latinë e grekë.
I kam këndue me hollësi të tana coptat tue i krahasue me origjinalin, edhe me këtë mënyrë mundem me thanë qi letratyra shqipe asht tue përparue, pasunohet me nji shpresë të ri në Shqipni, edhe të bukur sikur sikur letrat latine dhe greke e kanë gjetun në personin e Zotnis B.J. nji njoftës mendjehollë dhe të dijshëm. Sidomos për zellin, për përpjekjet me ruejtun masat klasike.
U gëzova fort kur afër 17 e 18 vjet përpara e dëgjova për të parën herë hekzametrin shqip qi kishte përdorë përmbi përkthimin e Bukolikëve t’Virgjilit prej z. Etëhem Haxhiademi qi auktori ma kën-oi prej dorëshkrimit këtu në Vjenë edhe qi doli në shesh ma vonë (më 1932).
E di fort mirë se përfaqësuesit ma të mëdhenj të poezis shqipe kanë zbatue ndër përkthimet e tyne prej greqishtes edhe latinishtes masat klasike, por i kanë përkthye kryeveprat klasike ndër masat popullore (po emënoj Naim Frashërin e At Gjergj Fishtën me përkthimet e Iliadës). E di dhe qi nuk mungojnë zanat qi e mbrojnë aftësin e gjuhës shqipe për masat klasike. Me gjith këtë besoj qi Z. Etëhem Haxhiademi e Z. J.B (= Basho Jona = Nikollë Dakaj = J.K) po ecin mirë tue paraqitun në veshën e shqipe edhe masat e vështirshme edhe të koklavituna të Horacit.
Edhe që, shqipja u dëftye plotësist e përkulshme edhe e epshme për me shprehun këto masa t’artit ma të mbaruemun. Fakti asht qi në shqipen, sikur edhe në gjuhët me letraturat ma të vjetra edhe ma të mëdhaja, përbri masavet popullore duhen me himun masat klasike, e kështu shtohen lavruesit gjuhësisht dhe shpirti i letrarëvet.
Në latinishten vetë qi ka qenë ndryshej (Horaci thotë përmbi veten: pricipio laudi verso et nomen salvos dedu…modus).
Në letratyrën gjermane vetëm rreth 1750 ( u përhapën masat klasike – J.K.). S’mungon kundërshtimi, ashtu edhe n’letratyrën engleze ku Llongfellovi e të tjerë e zbatojnë hekzametrin edhe masat e Horacit. Meritimi i Z.J.B ( Basho Jonës) asht mbi gjithçka i pamohueshëm. Nuk asht punë e vogël me ia përshtatun masat e Horacit dhe elegjitë e Tibulit gjuhës shqipe. Me urimet e mija për auktorin bashkoj dëshirën qi z. Basho Jona ta vijojë punën e tij për me ia dhanë ky letratyrës shqipe Homerin, Homerin e gjithunjishëm (prej Horacit do t’ishte mjaft me i përkthye kangët…)
ǒi përket gjuhës shqipe të përdorun ndër këto vjersha, po shof qi gegnishtja e shkrueme prej poetit të ri asht nji gegënishte e përbashktë, d.m.th. e kuptueshme fort mirë përgjithësisht. Me gjithë këtë besoj me i njoftun gjurmët e gjuhës veriore.
Gjuha e rrethit të shkrimtarëvet qi kanë qendrën e tyne në “Hyllin e Dritës”,më duket se kanë qenë si motra.
Tue i mbledhë të gjitha, auktori ka mirë zbatue të tana përparimet e gjuhës letrare shqipe, nuk vetun ka neologjizma, por edhe disa fjalë të dialektevet qi kanë gjetun të drejtë qytetarije në gjuhën letrare ndër kohë. Po edhe diku gjindet nji fjalë qi dëshmohet ndër fjalorë, por qi pa dyshim asht e mirë dhe krejt popullore.
Stili i përkthimevet asht i goditun dhe i përshtatet shpirtit t’origjinalit. Sidomos pëlqej përkthimin e kangës së Horacit: Bora tek asht tu’u de (…).
Tue ju falun me shëndet nga zemra, Ju shtërngoj dorën e mbetem me nder të madh e miqësisht Juaji.
Norbert Jokl
Po japim ndonjë mendim. Norbert Jokli iu përgjigj Karl Gurakut me një letër trifaqesh, shkruar me dorën e vet. Nuk ka datë se kur është hartuar. Megjithatë, unë jam i bindur se duhet të jetë përpiluar brenda gjashtëmujorit të dytë të vitit 1941, sepse Jokli u zhduk nga nazistët gjermanë në maj të vitit 1942. (Për vdekjen e tij tragjike ka tri hipoteza). Fotokopjimi që kam në dorë, është tepër i zbetë. Shkrimi i shkencëtarit të shquar është mikroskopik dhe në mjaft vise i padeshifrueshëm. Mendoj se është koncept letre, sepse ka korrigjime, shtesa heqje. Në këtë formë nuk ma merr mendja t’i jetë dërguar Karl Gurakuqit.
Por, për Basho Jonën, alias: Nikollë Dakaj-n, është vlerësimi më i lartë i meritave të tij si përkthyes i poetëve klasikë të antikitetit grek e latin. Ky gjykim vjen nga albanologu më i madh i kohës, nga Norbert Jokli, i mirënjohur në studimet evropiane të viteve 1908-1941 edhe si indoevropianist, keltist, sllavist, helenist, latinist, romanist, maxharist. Janë për t’u theksuar dhe nënvizuar disa shprehje dhe konsiderata të këtij dijetari e personaliteti poliedrik në gjuhësi për përkthyesin tonë, që aso kohe ishte 21 vjeç. Jokli e ka shkruar shqipen shumë mirë, në dialektin gegërisht. Ndonjë përkufizim a përcaktim të tij po marr leje ta riprodhoj në gjuhën e stome letrare standard: “I kam lexuar me hollësi të gjitha copat e përkthyera duke i krahasuar me origjinalin. Në këtë mënyrë, mund të them se letërsia shqipe është duke përparuar. Po pasurohet me një shpresë të re në Shqipëri. Letërsia latine dhe ajo greke kanë gjetur në personin e zotit Basho Jona një mjeshtër të thellë, një njohës mendjehollë dhe të ditur. Sidomos për zellin dhe përpjekjen e tij për të ruajtur masat klasike. Unë besoj se z. Etëhem Haxhiademi dhe z. Nikollë Dakaj po ecin mirë duke paraqitur në mveshjen shqipe edhe masat e vështira e të koklavitura të Horacit. Merita zotit Basho Jona është mbi gjithçka e pamohueshme. Nuk është punë e vogël t’ia përshtatësh gjuhës shqipe masat e Horacit e Tibulit. Për sa i takon gjuhës shqipe, gegërishtja e shkruar prej poetit të ri, është një gegërishte e përbashkët d.m.th., e kuptueshme fort mirë prej të gjithëve. Autori ka zbuluar mirë përparimet e gjuhës letrare shqipe. Në përkthimet e tij nuk ka vetëm neologjizma, por edhe fjalë të dialekteve të tjera, që kanë fituar të drejtën e qytetarisë në gjuhën e shkruar letrare, gjatë kohëve. Ndonjë fjalë tjetër dëshmohet ndër fjalorët e shqipes, por që padyshim është e mirë dhe krejt popullore. Stili i përkthimeve është i goditur dhe i përshtatet shpirtit të origjinalitetit”.
Ky ishte Nikollë Dakaj, i njohur me pseudonimin letrar: Basho Jona. Po të kishte pasur kushtet e favorshme, gjuhës shqipe t’i kishte falur (dhuruar) të përkthyera të plota, kryeveprat e letërsisë klasike antike e greke.
Prof. Dr. Jup Kastrati
Shkodër, 20 janar 2001