E Diel, 1 Nëntor 2026

Helmimi i studentëve, AKU: Ndërpritet aktiviteti i subjektit Sori-Al, makaronat me baktere mbi normë

TIRANË, 14 maj/ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) bën të ditur se pas dyshimeve për helmim të disa kursantëve pranë Akademisë së Sigurisë, Sauk, janë kampionuar nëntë mostra lëndësh të para dhe produktesh të gatshme.

Sipas laboratorit të Referencës ISUV, tetë mostra rezultuan brenda normave, ndërsa një mostër makarona, produkt i gatshëm nga kuzhina e Akademisë, rezultoi jokonform për ngarkesë mbi normë të Escherichia coli dhe Staphylococcus coagulase pozitive.

Për shkak të këtyre gjetjeve, AKU vendosi ndërprerjen e aktivitetit të kompanisë Sori-AL, deri në plotësimin e kërkesave ligjore për pastrimin dhe dezinfektimin e ambienteve dhe pajisjeve të punës.

Gjithashtu, në kuadër të gjurmueshmërisë, u verifikua edhe prodhimi në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”, pranë Forcave të Armatosura.

Raportet e institucioneve shëndetësore evidentuan rezultate jo konform treguesve të higjienës në kampionët e ruajtur dhe në disa pajisje pune.

Si rezultat, AKU ndërpreu aktivitetin edhe në këtë subjekt, dhe vendosi një gjobë administrative prej 1.500.000 lekësh për ushqim të pasigurt dhe kushte higjieno-sanitare të papërshtatshme.

“Në vijim të ndjekjes së gjurmueshmërisë, në adresën Garnizoni “Skënderbej” pranë Forcave të Armatosura, ku është kryer prodhimi i këtyre produkteve, referuar konstatimeve të institucioneve shëndetësore, mbi raportin përfundimtar të hetimit epidemiologjik për rezultatet jokonforme për tregues të higjenës, evidentuar në kampionët në ruajtje si dhe në disa prej pajisjeve të punës, AKU mori masa për ndërprerjen e aktivitetit të subjektit SORI-AL edhe në adresën Garnizoni “Skënderbej” pranë Forcave të Armatosura. Gjithashtu u vendos masë administrative me gjobë në vlerën 1.500.000 lekëve për ushqim të pasigurt dhe kushte higjieno-sanitare”, bën të ditur AKU.

Subjektit iu la detyrë të kryejë procedurën e asgjësimit të produktit të bllokuar, i cili ishte konstatuar jo konform ligjit.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›