SEPA-s, Zaçaj: Rreth 363 mijë transferta me vlerë totale 4,3 miliardë euro, në 6 muaj

TIRANË, 14 maj/ATSH/ Në Tiranë u mbajt sot forumi ballkanik i pagesave “Balkan Payment Forum 2026”, një aktivitet i dedikuar zhvillimeve në fushën e pagesave, inovacionit financiar dhe transformimit digjital, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bankave qendrore, institucioneve financiare ndërkombëtare, industrisë bankare dhe fintech, si dhe ekspertëve të pagesave nga rajoni dhe Bashkimi Evropian.
Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Holta Zaçaj, theksoi rolin e Bankës së Shqipërisë në zhvillimin ekonomik dhe financiar të vendit, si dhe progresin e bërë në modernizimin e politikës monetare, sistemeve të pagesave dhe kuadrit rregullator, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Në fjalën e saj, Zaçaj vlerësoi rëndësinë e modernizimit të sistemeve të pagesave si element kyç për rritjen e përfshirjes financiare dhe integrimin evropian të vendit.
Ajo u ndal te reformat e ndërmarra për nxitjen e përdorimit të pagesave elektronike dhe theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA përbën një arritje historike për integrimin financiar të vendit.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë gjashtë muajve të parë të funksionimit të SEPA-s janë realizuar rreth 363 mijë transferta me vlerë totale 4,3 miliardë euro, ndërsa kostot e transfertave ndërkufitare janë ulur ndjeshëm për qytetarët dhe bizneset.
“Të dhënat e vitit 2025 tregojnë efektet pozitive të reformave. 67% e pagesave bankare u kryen me karta, 20% përmes telefonit ose internetit, dhe numri i pagesave elektronike për frymë arriti në 29 pagesa, duke u trefishuar krahasuar me vitin 2020. Për herë të parë, pagesat me kartë kanë tejkaluar tërheqjet e parasë fizike sa i përket frekuencës, duke reflektuar ndryshimin e sjelljes së pagesave dhe rritjen e përfshirjes financiare në vend”, deklaroi Zaçaj.
Zëvendësguvernatorja Zaçaj gjithashtu theksoi progresin në harmonizimin e kuadrit rregullator me standardet e Bashkimit Evropian, zhvillimin e bankingut të hapur, modernizimin e infrastrukturës së pagesave dhe rritjen e nivelit të edukimit financiar.
Në kuadër të forumit, Banka e Shqipërisë organizoi edhe një pritje mirëseardhjeje në ambientet e Muzeut të Bankës së Shqipërisë për pjesëmarrësit, si pjesë e aktiviteteve përkujtimore me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Bankës së Shqipërisë dhe monedhës kombëtare.
Në këtë pritje, Zaçaj vlerësoi historinë dhe evolucionin e Bankës së Shqipërisë si një institucion kyç për zhvillimin ekonomik dhe financiar të vendit, duke theksuar se sot ajo përfaqëson një institucion modern, me sisteme bashkëkohore pagesash, kuadër rregullator të harmonizuar me standardet ndërkombëtare dhe një rol të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe makroekonomik të vendit.
Zëvendësguvernatorja e Parë, Holta Zaçaj në Forumin Ballkanik të Pagesave 2026-Foto: Florian Abazaj
1 nga 5/r.e/a.f/