E Diel, 1 Nëntor 2026

UASHINGTON – Raund i ri bisedimesh paqeje izraelito-libaneze

UASHINGTON, 7 maj /ATSH-AFP/ – Izraeli dhe Libani do të zhvillojnë një raund të tretë bisedimesh javën e ardhshme në Uashington për të kërkuar një marrëveshje paqeje, njoftoi sot një zyrtar amerikan, pavarësisht një sulmi ajror izraelit një ditë më parë pranë Bejrutit, mes një armëpushimi të brishtë.

“Do të ketë bisedime midis Libanit dhe Izraelit të enjten dhe të premten e ardhshme në Uashington”, tha një zyrtar i Departamentit të Shtetit të SHBA-së në kushte anonimiteti.

Dy vendet, të cilat nuk kanë marrëdhënie diplomatike, kanë zhvilluar tashmë dy raunde bisedimesh në Uashington, më 14 dhe 23 prill.

Pas takimit të dytë në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump njoftoi një zgjatje trijavore të armëpushimit midis dy vendeve.

Presidenti amerikan tha gjithashtu se priste që kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dhe presidenti libanez Joseph Aoun të takohen “në javët e ardhshme”.

Por, presidenti Aoun deklaroi të hënën se një marrëveshje sigurie me Izraelin dhe një “fund i agresionit izraelit” duhet t’i paraprijë çdo takimi midis dy udhëheqësve.

Lëvizja islamike Hezbollah, e cila e futi Libanin në luftë më 2 mars në mbështetje të aleatit të saj iranian, i hodhi poshtë këto shkëmbime diplomatike.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, deklaroi të martën se nuk kishte “asnjë problem midis qeverive libaneze dhe izraelite”, duke pohuar se Hezbollahu ishte pengesë.

“Mendoj se një marrëveshje paqeje midis Izraelit dhe Libanit është e arritshme shpejt”, shtoi ai.

Takimi i parë midis dy vendeve, më 14 prill në nivel ambasadorësh në Uashington, ishte i pari i këtij lloji që nga viti 1993.

Pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi tre ditë më vonë, luftimet vazhdojnë në Liban.

Sulmet ajrore izraelite në Liban kanë vrarë më shumë se 2 700 persona, kanë plagosur më shumë se 8 200 dhe kanë zhvendosur mbi një milion të tjerë që nga fillimi i marsit./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›