LIBAN – Mbi 100 punonjës shëndetësorë të vrarë nga sulmet izraelite

BEJRUT, 19 maj /ATSH-DPA/- Më shumë se 100 punonjës të sektorit shëndetësor janë vrarë në Liban nga sulmet izraelite, që prej përshkallëzimit të fundit të konfliktit, në fillim të marsit, sipas të dhënave zyrtare.
Ministri libanez i Shëndetësisë, Rakan Nassereddine deklaroi sot gjatë një takimi me drejtorin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, se deri tani janë vrarë 116 punonjës shëndetësorë dhe 263 të tjerë janë plagosur.
Sipas autoriteteve, sulmet kanë shkaktuar gjithashtu dëme të konsiderueshme në ambulanca, qendra shëndetësore dhe spitale.
Përplasjet mes Izraelit dhe milicisë Hezbollah rifilluan në Liban pas luftës me Iranin. Edhe pse aktualisht është në fuqi një armëpushim, sulmet reciproke vazhdojnë ende.
Ushtria izraelite ka kryer disa herë sulme ndaj ambulancave dhe ekipeve mjekësore në Liban, duke akuzuar Hezbollahun se i përdor ato për të transportuar armë dhe luftëtarë.
Qeveria libaneze, e cila nuk është palë direkte në konfliktin aktual, i ka hedhur poshtë këto akuza.
Sipas saj, pavarësisht se sulmet kanë në shënjestër shërbimet shëndetësore të lidhura me Hezbollahun, mes viktimave ka pasur edhe personel mjekësorë të urgjencës së Kryqit të Kuq dhe pjesëtarë të mbrojtjes civile shtetërore.
Kombet e Bashkuara, si edhe organizata për të drejtat e njeriut si Amnistia Ndërkombetare dhe Vëzhguesi i të Drejtave të Njeriut (Amnesty International dhe Human Rights Watch), si dhe organizata humanitare Mjekët pa Kufij, kanë dënuar sulmet izraelite ndaj punonjësve shëndetësorë dhe kanë kërkuar hetime të pavarura. //a.i/