E Shtunë, 31 Tetor 2026

Helmohen nxënësit në shkollë, mbyllet laboratori i Kimisë

LAÇ - Katër nxënëse janë shtruar në urgjencë dje pasi shfaqën simptoma të helmimit gjatë orëve të mësimit. Dyshohet se laboratori i Kimisë së shkollës së mesme 'At Shtjefen Gjeçovi' ka medikamente të skaduara, ndaj Drejtoria e Higjienës i kanë vënë kyçin sot.

Ngjarja ndodhi dje paradite, kur katër vajza, nxënëse të kësaj shkolle përfunduan në spital pasi kishin zhvilluar mësim në laboratorin e Kimisë.

Sipas mjekëve të spitalit të Laçit është mirë që në laboratorin ku ndodhen edhe lëndët helmuese nxënësit të mos bëjnë mësim. Ajo, që ka vënë në dyshim Drejtorinë e Higjienës është fakti se katër vajzat janë shprehur se nuk kishin konsumuar ushqim në mëngjes. Kjo mund të ketë bërë që ato të jenë më të ndjeshme se nxënësit e tjerë, që nuk shfaqen shenjat e helmimit edhe pse bënë mësim në të njëjtin laborator. Po kështu nuk përjashtohet mundësia që vajzat të jenë alergjike. Kjo mund të vonojë edhe relacionin përfundimtar të Drejtorisë së Higjienës, mbi funksionimin e këtij laboratori.

Ndërsa, drejtoresha e shkollës, Marie Syziu, shprehet se "nxënësit nuk do të bëjnë mësim në këtë klasë deri në sqarimin e rrethanave të ngjarjes".

Drejtoria e Higjienës dyshon se gjithçka mund të ketë ardhur pasi në laborator mbahen medikamente që përdoren për eksperimente, të cilën mund të kenë skaduar. Sipas të njëjtave burime, dyshohet se çarja e soletës që ka sjellë edhe lagështi të mureve është bërë shkak i skadimit të këtyre substancave që mbajnë erë të rëndë.

Aktualisht në këtë shkollë mësojnë rreth 1030 nxënës të vendosur në 29 klasa. Nxënësit dhe prindërit shprehen të alarmuar për situatën e krijuar në shkollë dhe kërkojnë që të dalin sa më shpejt analizat për laboratorin e Kimisë.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›