E Shtunë, 31 Tetor 2026

Helsinki konfirmoi mbështetjen për Kosovën

Kryeministri Hashim Thaçi, deklaroi sot pas kthimit nga Finlanda, se Helsinki zyrtar e ka konfirmuar mbështetjen për shtetin e Kosovës në synimet për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Në një konferencë për gazetarë, pas aterrimit në Aeroportin e Prishtinës, shefi i Qeverisë së Kosovës tha se gjatë vizitës në Finlandë ka marrë po ashtu mbështetjen e fuqishme të shtetit skandinav për ta ndihmuar Kosovën që të anëtarësohet në Bankën Evropiane për Zhvillim.

“Finlanda e mirëpret rolin konstruktiv të Kosovës për zhvillimin paqësor e të stabilitetit dhe të integrimeve në rajon. Në kuadër të kësaj kemi mbështetjen e plotë të Finlandës se do të angazhohet maksimalisht, se do të gjejë votën e munguar për t’u anëtarësuar Kosova në Bankën për Zhvillim dhe Rindërtim Evropian, ndërkohë është nënshkruar marrëveshja, mund të them prej të parave, sa i përket doganave të shtetit të Kosovës me Finlandën”, ka thënë Thaçi, transmeton KosovaPress.

Gjithashtu, kryeministri Thaçi pret që pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë të japë mendimin këshillues lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë, Kosovën ta njohin një numër shtetesh të reja.

Sipas tij, pas 22 korrikut do të pasojnë njohje të reja, përfshirë edhe nga vendet anëtare të BE-së që vazhdojnë të hezitojnë të pranojnë realitetin e ri të krijuar në Kosovë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›