E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK-ja vendos për “vijën e kuqe” gjatë qershorit

(E plotësuar) Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, në mbledhjen e mbajtur sot, shpalli zgjedhjet e përgjithshme në parti, të cilat do të fillojnë më 10 shtator dhe do të vazhdojnë deri më 30 nëntor.

Në funksion të këtyre zgjedhjeve janë formuar katër grupe punuese, të cilave do të përgatisin dokumentet bazike për reforma, orientimin e politikave zhvillimore dhe ofertën e kësaj partie për qeverisje.

Gjatë mbledhjes, Isa Mustafa është shprehur kundër vazhdimit të koalicionit me PDK-në në nivel qendror. Por, ai nuk është prononcuar fare për gazetarët, pas takimit.

Kurse Fatmir Rexhepi, i cili ndan mendimin e njëjtë me Mustafën, ka bërë të ditur se ka propozuar që lidershipi i LDK-së të caktojë edhe një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm, në të cilën do të vendoset për pozicionin e LDK-së në qeverisje dhe për menaxhimin e partisë.

Sipas Rexhepit, LDK-ja po i afrohet “vijës së kuqe”, andaj mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm duhet të ndodhë brenda muajit qershor.

“Mendimi personal i imi nuk dallon nga ai (i Mustafës). Por mendoj që duhet të kemi një strategji dhe të shohim arsyet pse i duhet shtetit të Kosovës të jetë LDK-ja dhe kur duhet të ndodhë ky moment. Kur është ajo zona e kuqe, kur LDK-ja nuk ka më interes, as vendi as LDK-ja që të jetë pjesë e kësaj qeverisje. Ende nuk e kemi këtë vlerësim si institucion, si lidership, unë pres që kjo të ndodhë në Këshillin e Përgjithshëm”, ka thënë Rexhepi, transmeton KosovaPress.

Nënkryetari i LDK-së, Eqrem Kryeziu, ka bërë shaka për këtë “vijë të kuqe”. “Nuk e di çfarë dioptrie i ka syzet Fatmir Rexhepi”. Megjithatë, Kryeziu është shprehur se në LDK nuk ka tema tabu, porse “duhet të ndiqen disa procedura për të thirrur mbledhje të re të Këshillit të Përgjithshëm”.

Por, ai ka paralajmëruar se kjo mbledhje e re e organit më të lartë të LDK-së nuk do të jetë “atraktive” për gazetarët, ngase do të ketë vetëm analiza intelektuale e politike. “Do të jetë mbledhje pa pasione”.

Nekibe Kelmendi, e larguar nga posti i ministres së Drejtësisë, ka thënë se do t’i bashkohet mendimit të shumicës. “Unë nuk dua të jem dele e zezë në këtë Këshill të Përgjithshëm”, është shprehur ajo, pas mbledhjes.

Kurse, Lutfi Haziri, të cilin riformatizimi i Qeverisë i siguroi karrigen e ministrit të Kulturës, theksoi se do të vazhdojë të jetë kritik për Qeverinë Thaçi.

Haziri: Të pozicionohemi si parti opozitare

Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ka vazhduar punimet edhe pasdite, me diskutimin e raportit të zgjedhjeve të fundit lokale, në të cilën kjo parti doli shumë keq.

Nënkryetari i LDK-së, njëherësh shef i Shtabit Zgjedhor, Lutfi Haziri, ka shpalosur strategjinë e tij, që LDK-ja, megjithëse po e shijon pjesën e vet të “kulaçit qeveritar”, në publik të prezantohet si njëfarë opozite.

Mbledhja është e mbyllur për gazetarët, por burime të Expressit nga brenda, bëjnë të ditur se Isa Mustafa, anëtar i KP-së, ka përsëritur qëndrimin e tij për prishjen e koalicionit me PDK-në në nivel qendror.

“Kjo temë nuk duhet të jetë tabu në LDK, por duhet të diskutohet brenda strukturave udhëheqëse të partisë”, ka thënë Mustafa.

Edhe anëtarë të tjerë të KP-së kanë kritikuar vazhdimin e qëndrimit të LDK-së në qeveri. Fatmir Rexhepi, ish-kandidat për kryetar të Komunës së Gjilanit, ka kritikuar Lutfi Hazirin dhe Bujar Bukoshin se “nuk e kanë pasur vendin në Qeverinë e Thaçit”.

Ndërsa vetë Haziri ka shpalosur “strategjinë” e tij, që LDK-ja, megjithëse në pushtet, të shfaqet si parti opozitare.

Pikat e tretë e raportit të hartuar nga shefi i Shtabit Zgjedhor, Lutfi Haziri, kërkon përkrahje më të madhe të projekteve në komunat ku LDK-ja qeveris.

“Nëse këto projekte nuk gjejnë përkrahje nga qeveria, ne duhet ‘të luftojmë’ dhe me ndihmën e medieve, të pozicionohemi si parti opozitare”, thuhet në raportin e përgatitur nga Haziri, saktësojnë burimet e Express-it.

Megjithë spekulimet se pikërisht në këtë mbledhje mund të vendosej për prishjen e koalicionit, njohësit e rrethanave në këtë parti thonë se kjo nuk do të ndodhë. Burimet thonë se Këshilli i Përgjithshëm pritet që të mblidhet sërish pas një muaji dhe të diskutojë detajisht propozimet e sotme.

Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së me dyer të mbyllura

Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) po mban sot takimin, në të cilin do të prezantohet raporti përfundimtar në lidhje me zgjedhjet e fundit lokale, si dhe pritet të shpallen zgjedhjet brendapartiake.

Takimi po mbahet pa praninë e gazetarëve, të cilat nuk janë lejuar që të marrin pjesë as në hapjen e takimit, raporton KosovaPress.

Ndërkohë në mbledhje po merr pjesë kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, i cili është shprehur publikisht kundër vazhdimit të koalicionit me PDK-në në nivel qendror. Por nuk dihet nëse në rendin e ditës do të vendoset edhe debati në lidhje me qëndrimin e tij për daljen e LDK-së nga koalicioni qeverisës.

Ndër pikat e raportit të hartuar nga nënkryetari i LDK-së, njëherësh shef i Shtabit Zgjedhor, Lutfi Haziri, janë dizajnimi i një sistemi për një përfshirje më serioze të zyrtarëve të LDK-së në fushatë, ngase një numër i madh i zyrtarëve dhe ministrave nuk kanë treguar kurrfarë interesimi dhe angazhimi për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, si dhe nuk janë koordinuar me shtabin zgjedhor.

Një pikë tjetër e raportit është reformimi i brendshëm i LDK-së, reformimi i forumit rinor dhe forumit të gruas, përkrahja për projektet që ndërlidhen me votuesit e LDK-së, dizajnimi i një strategjie dhe sistemi të komunikimit me degët, hartimi i një plani të veprimit për komunikim të vazhdueshëm me votues dhe pika tjera.

Në zgjedhjet e fundit lokale, LDK, parti kjo në koalicion qeverisës me PDK-në, ka fituar në Prishtinë, Fushë Kosovë, Podujevë, Kastriot, Novobërdë, Istog dhe Kamenicë.

Zgjedhjet brenda partiake pritet të fillojnë në vjeshtë, ndërsa kuvendi qendror do të mbahet kah mesi i nëntorit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›