Hendeku 142 mijësh s’mbushet me letra kurbani
Shkolla Peripatetike ishte një nga shkollat filozofike greke, të themeluar nga filozofi i lashtësisë Aristotel-i, mësues i Lekës së Madh, dhe nxënës i Platonit. Shkolla quhej kështu sepse mësimet e tij Aristoteli i jepte duke ecur nëpër oborr të Gjimnazit. 2300 vjet më pas me fjalë të tjera, dhe me synime të tjera një komshi i Aristotelit, Edi Rama thotë se Kurbani im bazohet tek filozofia: “Kam kujtuar duke ecur”. Ecejaket e Ramës nëpër kujtesë kanë shumë rrugica pa semafor e kryqëzime të rrezikshme në kalldrëmin e trurit të vogël, që Ramës pas levës që pësoi në kokë diku nga viti 1995, i ka lënë shumë pasoja.
Megjithatë “Unë kam shkruar një varg gjërash që i kam gjetur në kujtesë, por nuk kam shkruar kujtime”, - ka ecur më tej ai në dëshminë në një intervistë televizive. Mirëpo me këtë sofizëm, Edi Rama kujton si i shpëton konstatimit për të pavërtetat që ka sugjeruar në librin e fundit, “Kurban”. Sikundër është e kuptueshme, libri nuk i ka shpëtuar sitjes së njerëzve të përmendur në libër, që kanë kundërshtuar të vërtetat e Ramës. Një shembull: historia e prishjes së kioskave në Parkun “Rinia” gjendur në faqen 67 të librit “Kurban”. Edi Rama, i cili mbi rehabilitimin e këtij parku gëzoi tre mandate, kundërshtohet prej ish-drejtorit të Policisë Ndërtimore, Mit’hat Havari, i cili nga ana e tij, me një kujtesë për t’u admiruar, thotë: se ish-kryeministri Ilir Meta kish vendosur për heqjen e kioskave dhe rikthimin në normalitet të Parkut, kurse Edi Rama ish shprehur për kryeministrin e atëhershëm Ilir Meta: “Është në taketuke ky që do të prishë parkun “Rinia”? Ramës do t’i duhet një libër tjetër për të replikuar mbi të kinse të vërtetat.
Autodafe-ja e Ramës ka brenda një meshë, falje, në karusel fajtorësh dhe leximin e sentencës publike të fajit për Saliun. 11 vjet në Bashkinë e Tiranës e kanë mbushur kreun e opozitës me një dozë gënjeshtrash. Komunikimi i kujtesës personale, domethënë i eksperiencës së akumuluar, që mund t’i shërbejë te tjerëve, nuk gjendet fare në këtë libërth. Aty gjendet mënyra për t’i mbushur në radhë të parë vetes, dhe më pas miqve e adeptëve, se “unë” (Rama) jam më i miri, por një sërë rrethanash më larguan nga pushteti. Është libri i terapisë së grupit, i vetë-magjepsjes me gënjeshtra, i shtrembërimit të fakteve dhe ngjarjeve, sipas kërkesave së kohës. Njëlloj si Enveri (me shokë) që shkroi rreth 80 libra.
Kuptohet vetiu që pas humbjes së dy palë zgjedhjeve, ndoshta, një arsye më shumë për t’u futur sërish në lojë jo vetëm me uljen e toneve radikale, por edhe rishpikja e vetes si qytetar i lexueshëm. “Kurban-i” është një akt politik, njëlloj si gjezdisja “gju më gju me popullit”, “sa më pranë popullit”, etj.
Sido që të jetë, me këto teknika të sofistikuara, Rama e ka shumë të vështirë të mbushë hendekun prej 142 mijë votash me koalicionin qeverisë. Duhet të bëjë kurban shumë vese dhe pasiguri. Sepse duhet të pyesim sa besueshmëri ka Rama për të fituar kaq shumë “zemra”, në kaq pak kohë? Dhe çfarë propozon ai realisht, përveçse më shumë taksa për të gjithë? Këto pyetje kanë dy vite kohë për të pasur përgjigje. Dhe përgjigja do të jetë vendimtare për t’u mbushur mendjen qytetarëve pse nuk është më njeriu i protestave me djegie gomash, i grevës së urisë në mes të bulevardit, njeriu që thirri me të madhe vdekjen në manifestime të dhunshme anti-kushtetuese. Dhe kjo përgjigje nuk mund t’u jepet qytetarëve shqiptarëve me editoriale, me libra të mbushur dingas me apologji shfajësuese apo/dhe me cicërima në rrjetet sociale.