E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heshtja e madhe e rokut

Për vitin që kaloi klasifikimet muzikore u dominuan nga këngët e rrymës pop. Po ashtu, lëvizjes së të indinjuarve nuk iu kushtua një këngë simbol. Ja se si ka ndryshuar muzika rok, ajo që dikur moto të saj kishte rebelimin.

Të rinjtë gjejnë vende dhe arsye për protesta të reja, që i quajnë Indignados apo Occupy Wall Street, por ajo çka të bën shumë kurioz është se për herë të parë në historinë moderne nuk ekziston një kolonë zanore që tregon këto eksperienca të reja. Roku? I vagët dhe jo i pranishëm, ashtu siç praktikisht po zhduket nga klasifikimet, duke ia lënë vendin dominimit absolut popit komercial. Mjafton t’i hedhësh një sy renditjes së 100 këngëve më të mira të bërë nga “Billboard” në SHBA: Adele, Drake, Lmfao, Rihanna, Katy Perry etj.

E kështu vendet ndërrohen mes popit dhe repit, ku edhe ky i fundit prej disa vjetësh ndodhet në një regresion të fuqishëm në treg. Por para se të gjesh diçka që i ngjan shumë rokut, duhet të kërkosh shumë. Ajo që të vjen ndër mend është vetëm ndonjë këngë e veçuar, e pa shumë bujë. Michael Buble, Bruno Mars, Adele, Rihanna, janë këta emrat e momentit në muzikë e që asnjë prej tyre nuk lidhet me zhanrin rok. Sigurisht, në Angli kemi Coldplay që qëndrojnë të fortë në pozicion dhe mbrojnë deri diku linjën e rokut, por jo rastësisht muzika e tyre është shumë e pasur me pop, duke e bërë që të qëndrojë paksa larg elementeve të vërtetë të muzikës rok. E njëjta gjë vlen për çmimet “Grammy” që shpërndahen për më të mirët e muzikës në Amerikë. Mes kandidaturave të shkurtit, spikasin sërish Adele, Rihanna, Lady Gaga, me pak fjalë një dominim absolut i zërave femërorë.

Suksesi pop është absolutisht i garantuar, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për muzikën rok, që duket se tashmë po fshihet në strofullin e së kaluarës. Ndonjëherë arrin ndonjë sinjal i fortë (Springsteen, Radiohead, Arcade Fire sa për t’i cituar), por emrat që vërtet po lënë gjurmë në këtë moment në këtë zhanër muzikor janë gjithmonë e më të paktë, gjithmonë e më të izoluar. Duken shumë të largëta krahasimet mes protestave dhe klasifikimeve muzikore, por në të vërtetë janë të lidhura fort. Flasin të dy për një boshllëk, për faktin që të rinjtë, të inkurajuar nga një sistem mediatik që lartëson konsumimin e shfrenuar, janë kthyer në epokën e para rokut, ku muzika ishte mbi të gjitha argëtim, ndonjëherë transgresive, por vetëm dhe mbi të gjitha thjesht argëtim. Në të vërtetë grupe roku ka me qindra, por preferojnë të mbajnë një profil më aristokratik. Askush nuk preferon të jetë zëdhënës i ndonjërit, aq më tepër të shprehë në këngë atë çka po ndodh përreth.

Ka banda muzikore si Fleet apo Mumford and sons, që kanë goxha admirues dhe që ndonjëherë arrijnë të futen në cirkuitin e madh të klasifikimeve dhe e njëjta gjë vlen për kantautorët rok si Bon Iver, shumë të dashur, por edhe suksesi i tyre konfirmon një trend mjaft konservator. Edhe ata nuk bëjnë gjë tjetër vetëm përsëritin stilet dhe modalitetin e rokut të vjetër, të saporifreskuar nga përdorimi dhe konsumi i brezave të rinj. Mbetet fakti që nëse do të na duhej të gjenim sot një këngë rok të aftë të interpretojë të tashmen do të lodheshim shumë. Edhe grupet historike si U2, nuk duken më të interesuara të frymëzohen nga ndjesitë e reja qytetare. Të gjithë e kujtojmë tashmë me nostalgji muzikën rok që ka shënuar dhe ka përjetësuar në këngë ngjarjet më të mëdha të viteve ‘60, ‘70, ‘80 apo ‘90. Lajmi i mirë është vetëm se herë pas here të mëdhatë e muzikës rok vendosin t’i rikthehen skenës.

Edhe për këtë vit janë parashikuar rikthime të mëdha. Mes turneve më të pritur të këtij viti janë shumë, dhe rrezja e tij shkon nga Black Sabbath te Beach Boys. Kur flitet për rokun investohet shumë nëpër koncerte, sidomos nëse flitet për emra të konsoliduar, e më mirë akoma nëse janë “kocka të vjetra”, të afta të rizgjojnë edhe te publiku i ri ëndrrën, tashmë të perënduar, të një muzike të aftë të na bëjë të ëndërrojmë, të flasim një gjuhë të re, të rizgjojmë krenarinë e qytetarëve të botës, në përballje me vështirësitë e botës reale. Mungojnë ide dhe projekte, roku duket i paaftë për t’u rinovuar. Muzika e lavdishme ua ka lënë vendin teknikave të avancuara të teknos dhe klithmave të frikshme të ikonave të reja të popit.

Por që kohët kanë ndryshuar e tregojnë më së miri protestat e fundit. Një test i mirë për të verifikuar se sa ka ndryshuar kjo muzikë, që lindi pikërisht si një moto revoltash. Nga njëra anë, nëse nuk arrin të ndalojë dot revanshin e popit në treg, nga tjetra nuk arrin të japë emocione në gjendje të bashkojë forcat kolektive. Nuk ka himne të reja, pjesë si We shall overcome apo Blowin in the wind, për të qëndruar në pozicionet e vjetra të viteve ‘70, por as pjesë turbulluese si London calling. Me pak fjalë nuk ka më drithërima që të ndahen me të tjerët. Edhe bandat e reja që rikthehen herë pas here prej kohësh nuk kanë asnjë pjesë të re, por të paktën mundohen të jenë prezente.

Tom Morello i Rage Against The Machine shkoi në Zuccotti Park dhe nisi të këndonte për manifestuesit, të njëjtën gjë që kanë bërë të mëdhenjtë e dikurshëm si Crosby e Nash. Graham Nash nisi të këndojë “Teach your children” duke thënë: "Këtë këngë e njihni, kështu që na ndihmoni të këndojmë. E kam shkruar 40 vjet më parë, por të gjithë e kemi kuptuar se sa aktuale është. Duhet të angazhohemi e t’i rrisim më mirë fëmijët tanë”. Meqenëse nuk ka asgjë bashkëkohore që t’i përshtatet situatës së re, ia vlen të këndosh pjesët e vjetra që kurrë nuk e humbin madhështinë, por mbi të gjitha që na tregojnë për rebelimin e njerëzve, esencën e vërtetë të kësaj muzike.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›