E Shtunë, 31 Tetor 2026

Quagliarella, mallkimi i janarit

Për Fabio Quagliarellan viti duhet t’i ketë 11 muaj. Njëmbëdhjetë e jo dymbëdhjetë sepse sulmuesi i Juventusit nuk dëshiron të dëgjojë më për janarin. Janari në kokën e tij do të thotë fat i keq, tani njësoj si një vit më parë.

Vështirë të thuhet e kundërta. Më 6 janar 2011 në ndeshjen kundër Parmës i erdhi lëndimi i rëndë i ligamenteve të gjurit pas vetëm tre minutave lojë, duke ia përfunduar një sezon që deri atëherë ishte pozitiv për Juventusin dhe për të, me 9 gola të shënuara prej tij. I kaloi dhjetë muaj të ferrit, të cilat i përfundoi disa javë më parë me gol kundër Novaras.

2012-ta duhej të ishte viti i rikthimit të tij të madh. Edhe vendimet e fundit të trajnerit Antonio Conte konfirmonin këtë. Titullar të dielën kundër Lecces së bashku me Vuçiniçin dhe Pepen, në vend të Matrit, deri më tani golashënuesi më i mirë i Bianconerëve. Por, fati sërish ia ktheu shpinën. Sërish u lëndua.

Në minutën e 23-të, gjatë një goditjeje nga këndi, në duel me një futbollist kundërshtar, Quagliarella pësoi frakturë në kafkë dhe doli nga fusha duke ia lënë vendin Matrit. Ai u operua të hënën.

Sipas njoftimeve të para, 28 vjeçari do të kalojë së paku dy javë jashtë fushës. Viti i ri për Quagliarellan ka nisur keq. Një dezhavu.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›