Heshtje e detyruar dhe lehje e paguarNga Fatmir Lamaj* Heshtje. Heshtje dhe vetëm heshtje ndaj plagëve më të dhimbshme që krijoi diktatura komuniste për 50 vjet dhe neodiktatura për 20 vjet të tjera. Komunizmi shqiptar (si forma më çnjerëzore e aplik
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Heshtje e detyruar dhe lehje e paguarNga Fatmir Lamaj*Heshtje. Heshtje dhe vetëm heshtje ndaj plagëve më të dhimbshme që krijoi diktatura komuniste për 50 vjet dhe neodiktatura për 20 vjet të tjera. Komunizmi shqiptar (si forma më çnjerëzore e aplikimit dhe zbatimit të tij) do të mbetet tragjedia më e rëndë në historinë e kombit shqiptar. Në jetën e një populli e një kombi, 50 vjet nuk janë shumë në historinë e tij mijëravjeçare, por 50 vjet komunizëm janë më shumë sesa shumë.
Për 50 vjet ky popull i tejmasakruar, u shkatërrua ekonomikisht, fizikisht, psikikisht dhe moralisht, dhe më se natyrshëm do të prodhonte monstra të llojeve të ndryshme si spiunë e servilë, gënjeshtarë dhe hipokritë, hajdutë dhe kriminelë, vese, të cilat do të mëshiroheshin te Njeriu i Ri, vepra më e madhe e Partisë (realisht pseudo-njeriu). Njeriu i ri ose pseudo-njeriu do të shndërrohej në një krijesë pa vetëgjykim, pa personalitet, pa iniciativë, pa ëndrra për të ardhmen, se për të gjitha mendonte Partia ose kryexhelati dhe Anti-Njeriu. Diktatorët, kushdo qofshin, gjithmonë i japin ëndrrës dhe ambicieve të tyre përmasa demoniane.
Në Shqipërinë postkomuniste, regjimi komunist do të gjente, pa u lodhur shumë, formën dhe mënyrën me efikase të mbijetesës nëpërmjet pseudo-demokracisë ose neokomunizmit. Pronat e rrëmbyera me forcën e pushtetit dhe antiligjit, të drejtat e mohuara të 1/3 së popullit nëpërmjet deformimit të ligjeve të pazbatuara dhe shkeljeve flagrante të një Kushtetute, e cila ekziston vetëm në letër si një certifikatë mirësjelljeje për hordhinë e paskrupullt të pushtetarëve të së njëjtës origjinë e të tjera, e të tjera.
Për të gjitha këto ka vetëm heshtje dhe vetëm heshtje. Historia po lëngon prej dekadash të tëra nga plagët e përgjakura, sakatimet e vazhdueshme që e kanë çuar drejt një shpërfytyrimi tërësor, në pamundësi të plotë për të bërë grafinë reale e të sinqertë.
Heshtje dhe vetëm heshtje! Heshtja duhet për të bërë heronjtë tradhtarë dhe tradhtarët heronj. Historisë xhelatët dhe bijtë e tyre duan t’i japin përmasën e një alibie politike, ku çdo krim të jetë i justifikuar, çdo bëmë e gjëmë e bërë në interes të popullit të shumëvuajtur shqiptar. Lirinë e sollën baballarët e tyre (mijëra e mijëra gjermanë janë vrarë në Shqipëri), ndërsa demokracia patjetër do të ishte dhuratë e bekuar e djemve të tyre që do t’i bëhej këtij populli me aq “bujari e fisnikëri”.
Në një artikull të botuar te gazeta “55”, në mars të 1998-ës kam shkruar: “Historia shqiptare, ngjyrosur e çngjyrosur nga Enver Hoxha (dhe bijtë e tij), i ngjan një tabloje të Pikasos, parë me sytë e një profolni”. Heshtje dhe heshtja vazhdon….
Përse kështu?! I urituri është gjithmonë i pafajshëm. Ajo mori gazetaresh dhe analistësh që enden nëpër redaksi gazetash dhe studiosh televizive mbeten rrogëtarë të rëndomtë (gjithmonë hallexhinjtë), ku mbijetesën e tyre e kanë kushtëzuar me preferencat e “bosëve” të tyre, të pasuruar e dhjamosur në shumicën e rasteve në rrugë jo të ndershme. Heshtje e detyruar!
Në errësirën e kësaj heshtjeje dhe greminat e saj memece gjendet sot trupi i plagosur rëndë i plagëve dhe halleve tona. Rënkimin e këtyre plagëve s’ka kush ta dëgjojë (ose më mirë nuk duan ta dëgjojnë, sepse në shkaktimin e tyre kanë pjesën e vet dhe pushtetarët e sotëm, si pjesë trashëguese e ish-diktaturës, me ligjet e deformuara, me vonesat e zbatimit të tyre dhe të Kushtetutës, si dhe indiferencën konsekuente).
Heshtjen e tyre pushtetarët e sotëm duan ta kthejnë në një arkivol, ku të mbyllin brenda tij kufomën e së vërtetës …, por të jenë të sigurt se ky mision për ta do të jetë gjithmonë i pamundur. E vërteta i ngjan kaktusit, ajo arrin të mbijetojë dhe në shkretëtirën e heshtjes gënjeshtare dhe terrorit të mashtrimeve e falsiteteve. Ajo mbijeton si e vetmja dritë për të ndriçuar rrugën e të verbërve dhe të vetë-verbuarve. Atë nuk e mbytin dot lehjet e paguara të qenve dhe langonjve, që pranojnë për zotër të tyre çdokënd që u hedh një copë bukë apo një kockë, dhe kthehen pa asnjë ndrojtje morale në roje të paskrupullt të stanit pushtetar. Nëpër errësirën e kësaj nate të trishtë, shtrirë anekënd këtij vendi të shumëvuajtur, kori i qenve (më mirë langonjve), me kanosjet e tij lebetitëse vajton për hallet e një pushteti që përveç armiqësisë së trashëguar s`ka asgjë të përbashkët me ta. A nuk është nënshtrimi dhe përdorimi nga ana e kundërshtarëve dhe bashkëvuajtësve të tu forma më e ulët e pandershmërisë? Veshët tanë të lodhur nga kuisje të tilla s’mund të jenë kurrë indiferentë ndaj këtyre mjeranëve që paguhen në masën qesharake për shërbesat e ulëta.
Unë dhe shokët e mi s`mund të mos ndiejmë keqardhje, kur dëgjojmë e shikojmë se një pjesë e bashkëvuajtësve tanë janë kthyer në “leva të Partisë”, të keqpërdorura abuzivisht nga qeveria aktuale, duke tentuar me keqdashje të deformojnë politikisht qëllimin e përbashkët të vetësakrifikimit tonë në këtë greve urie, por njëkohësisht s`e shmangim dot neverinë si një ndjesi e natyrshme që imponon qëndrimi i tyre. Ne i falim gjithë ata bashkëvuajtës, që të keqinformuar nga levat e Partisë e pushtetit nuk janë solidarizuar me grevën tonë, por kurrë s`mund t’i falim ata që janë të mirinformuar për qëllimin e kësaj greve dhe në mënyrë koshiente i janë kundërvënë asaj për qëllimet e tyre të ulëta. Ne lutemi për ata që Zoti i ndihmoftë, të shkëputen sa me parë nga kthetrat e keqpërdorimit të pajustifikuar duke ju drejtuar me këto vargje:
Lehni laro… lehni pa pushim
Në korin e turpit lidhur me zinxhirë
Ku putrat e djallit lëpin me dëshirë
E në krahët e tij gjen ngushëllim
* I burgosur politik. Grevist i urisë