E Diel, 1 Nëntor 2026

“Hetim të plotë veprimeve dhe përgjegjësive të individëve të përfshirë në incidentin e Vjenës”

27-04-2013 / Gazeta 55

Depozitohet në Kuvend kërkesa për ngritjen e Komisionit Hetimor për sjelljen e Edi Ramës në Vjenë

Incidenti i kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, me diplomatin shqiptar pranë misionit të OSBE-së në Vjenë, Egin Ceka, do të zbardhet nga një komision hetimor parlamentar. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi mesditën e së premtes në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor, “për hetimin e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive të incidentit të datës 24 prill 2013 pranë Akademisë Diplomatike të Vjenës”.
Kërkesa e deputetëve të mazhorancës parashikon që objekti i punës së komisionit të jetë hetimi për zbardhjen e plotë të fakteve dhe rrethanave të incidentit të datës 24 prill, si dhe hetim të plotë të veprimeve dhe përgjegjësive të individëve të përfshirë në këtë incident. Komisioni do të hetojë faktet, rrethanat dhe përgjegjësitë e incidentit në Akademinë Diplomatike të Vjenës, ku Edi Rama, sipas denoncimit të bërë publik nga diplomati Egin Ceka, e ka dhunuar atë edhe fizikisht.
Relacioni shoqërues i kërkesës parashtron fakte të hollësishme mbi dinamikën e ngjarjes. Po ashtu, kërkesa argumenton dhe përputhshmërinë ligjore të nismës së mazhorancës, në kuadër të veprimtarive të komisioneve hetimore parlamentare.
Incidenti u bë shkak edhe për debate të forta në parlament.
Kryeministri Berisha e cilësoi ngjarjen një akt “të turpshëm dhe amoral” të kreut të opozitës, ndërsa kërkoi që të hënën parlamenti të votojë ngritjen e komisionit të posaçëm që do të hetojë mbi këtë “akt të paprecedent”.
Ministria e Jashtme shqiptare, në një deklaratë për shtyp, akuzoi Ramën se ka përdorur dhunë verbale e më pas edhe fizike ndaj diplomatit Ceka, kur ky i fundit ka reaguar ndaj deklaratave të kreut të PS-së. Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e quajti si një akt të rëndë që cenon imazhin e vendit tonë në botë.
Neritan Ceka, babai Eginit, në një letër të hapur drejtuar Edi Ramës, i bëri apel që t’i kërkoje falje publike, jo vetëm se ka fyer djalin dhe familjen e tij me një sjellje harbute, por edhe disa dhjetëra diplomatë të rinj, që na përfaqësojnë denjësisht në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Partia Socialiste e mohoi që të ketë ndodhur një ngjarje e tille dhe akuzoi diplomatin Ceka se ka derdhur ndaj opozitës një lumë fjalësh të padenja.
Dëshmitarë okularë thanë të kundërtën. Në mesin e këtyre kundërthënieve dhe akuzave të ndërsjella, komisioni hetimor parlamentar pritet të hedhë dritë mbi atë se çfarë ndodhi më 24 prill në Vjenë.
Komisioni do të përbëhet nga Fatbardh Kadilli, si kryetar i tij dhe anëtarët Paulina Hoti, Osman Metalla, Gerd Bogdani e Dashnor Sula.
Incidenti ndodhi tre ditë më parë në përfundim të një takimi në Akademinë Diplomatike të Vjenës, ku ishte i ftuar kryetari i PS-së.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›