Ministri i Brendshëm Flamur Noka padit për shpifje deputetin Saimir Tahiri
Deklaratat e rreme të deputetit të PS
Ministria e Brendshme, nëpërmjet zëdhënësit të saj, hodhi poshtë si të pavërteta deklarimet e deputetit socialist, Saimir Tahiri, mbi një takim të ministrit të Brendshëm, Flamur Noka, me njerëz që kanë lidhje me biznesmenin Arben Frroku, i akuzuar për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, ndërsa lajmëroi ngritjen në Gjykatën e rrethit të një padie për shpifje ndaj deputetit Tahiri.
Leonard Olli, zëdhënësi i ministrisë së brendshme, në një deklaratë për mediat, theksoi se “jam para jush për të sqaruar opinionin publik lidhur me trillimin e radhës të shpifësit me pagesë, Saimir Tahiri, i cili ka publikuar dje në faqen e tij personale në ‘Facebook’, foto të një takimi të Ministrit të Brendshëm, Flamur Noka, në njësinë nr. 6, me shpifjen se është duke pirë kafe me shoferin e Arben Frrokut, autorit të dyshuar për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt”.
Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, vijoi ai, “deklaron me përgjegjësi të plotë individuale dhe institucionale se në fotot e bëra publike, asnjë nga personat prezent në këtë takim, nuk kanë kurrfarë lidhjeje me individët e stisur nga shpifësi Tahiri, me të cilët kupola e krimit në Partinë Socialiste, ka pranuar publikisht se ka lidhje politike dhe biznesi”. “Ministri i Brendshëm i konsideron shpifje të tilla, si përpëlitje të pashpresa të njerëzve të botës së krimit, për të stisur tymnaja me qëllimin e vetëm, dëmtimin e hetimit dhe për të shpëtuar përballjen me drejtësinë, të ortakëve të tyre politikë dhe të biznesit”, theksoi Olli.
Zëdhënësi Olli siguroi se asnjë tymnajë kasnecësh dhe shpifësish nuk do të mund të pengojë zbardhjen e krimit makabër, ku humbi jetën kryekomisar Dritan Lamaj dhe çuarjen e autorëve para drejtësisë. “Ministri i Brendshëm shpreh bindjen e plotë se strategjia e shpifjeve, përbaltjes dhe denigrimit publik, është rezultat i panikut të plotë që ka përfshirë Edi Ramën dhe ‘Rilindësit’ e tij, para humbjes së thellë që i pret më 23 qershor. Gjithashtu, Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe do të paraqesë padinë e tij, në gjykatën e Rrethit gjyqësor, Tiranë, ndaj shpifësit të pandreqshëm me pagesë, Saimir Tahiri”, përfundoi ai.