Hetime pa sukses
Shumica e komisioneve hetimore të Kuvendit që u inauguruan në vjeshtën e shkuar, po e mbyllin misionin pa mundur të realizojnë qëllimin
Një bum i madh komisionesh hetimore, “shpërtheu” në muajin tetor, por ditë pas dite rëndësia e tyre filloi të zbehej. Aktualisht të gjitha komisioneve hetimore u ka mbaruar afati, ndërsa vërehen tek gjithsecili probleme, vonesa, madje edhe dështim, ndërsa ka edhe pak nga ata që e kanë përfunduar misionin. Krerët e komisioneve shprehin për “Korrierin”, rezultatet përfundimtare të hetimeve parlamentare. Mbledhja e parë e Komisionit “Për Hetimin e Procedurave të Tenderimit të Rrugës Durrës - Morinë” është zhvilluar më 29 tetor, por që prej asaj kohe, komisioni, nuk e ka përfunduar punën e tij. “Gjithashtu komisioni i rrugës, si dhe komisioni hetimor për pasuritë e kriministrit, ka përfunduar afatin, pa përfunduar hetimin kuvendor, sipas objektit dhe planit hetimor”- u shpreh Arben Isaraj, nënkryetari socialist i këtij komisioni. Rezultati përfundimtar i punës 3 mujore e këtij komisioni përkthehet thjesht: “nul”. Ndërsa për këtë komision nuk po flitet as për shtyrje afati, ndryshon puna për një komision tjetër, atë të përgjimeve. Komisioni në fjalë u ngrit me kërkesë të PDK-së, pas alarmit të përgjimeve lidhur me zyrtarë të kësaj partie, e po ashtu deputetëve të kësaj force politike. Komisioni ka përfunduar tashmë afatin, por për demokristianët rezultati nuk do të mungojë, edhe pse kjo do të vijë vetëm pas një shtyrjeje tjetër. “Është bërë kërkesa për për ta shtyrë afatin e komisionit. Të hënën do të kalojë në seancë. Puna e komisionit s’ka përfunduar. Vetëm certifikimi i ekspertëve është një proces që zgjat 1-3 muaj”- u shfajësua Jak Ndoka, kryetari i Komisionit Parlamentar të Përgjigjimeve. Pra edhe në këtë rast puna e komisionit ende nuk ka pëfunduar, por po të ketë shtyrje, thonë iniciatorët, me dorë në zemër misioni mund të përfundojë. Ndërkaq kryetari i komisionit hetimor “Për hetimin e objektit dhe procedurave të kontratës së privatizimit të Albtelekomit për periudhën 2001 e në vijim”, socialisti Marko Bello thotë se puna e komisionit përfundon javën e ardhshme. “Do ta mbyllim javën tjetër”- shprehet ish-Ministri i Shtetit, ndërsa sipas afateve edhe ky komision duhet ta ketë përfunduar afatin. Ndryshon situata në Komisionin Hetimor për Koncesionet. Kryetari i këtij komisioni, deputeti socialist Shpëtim Idrizi, nënvizon se puna hetimore ka përfunduar me sukses. “Komisioni ka përfunduar nga puna. Ia kemi kaluar Topallit e kur të shqyrtohet në seancë do paraqesim raportin të cilin jemi duke e përfunduar. Kemi zhvilluar mbledhjet e parashikuara, pyetje me ministrin, me sekretarin e përgjithshëm. Nuk mund t’ju them përmbajtjen e raportit, por ka mjaft shkelje ligjore”- deklaron Idrizi. Pra, aktualisht komisioni “Për zbatimin e ligjit të koncesioneve, dhënien me koncesion të objekteve të ndryshme në pronësi shtetërore, kushtet e dhënies së këtyre kontratave për periudhën 2001 e në vijim dhe procedurat për fillimin e punimeve për ndërtimin e TEC-it të Vlorës”, është i vetmi, që ka përfunduar misionin e tij. Shpesh komisionet hetimore në të shkuarën kanë rezultuar të pasuksesshëm, pasi janë përdorur politikisht nga palët për të akuzuar njëra-tjetrën dhe rezultati ka qenë po i njëjtë. Mund të jetë shtuar doza e akuzave gjatë mbledhjeve të komisioneve, por rezultati final ka qenë sërish një mbyllje me akuza të ndërsjellta, një palë se nuk kishte prova e akuzat ishin të pavërteta, e pala tjetër se provat ishin mëse të qarta. Megjithatë për të dhënë një gjykim të saktë për punën e këtyre komisioneve padyshim, që është paraqitja zyrtare e raporteve respektive. saqellari@korrieri.com