E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk tolerojmë

Nikolas Bërns

Washingtoni hedh poshtë çdo ndarje të mundshme të Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ripërsëritur qëndrimin e tyre për të mos lejuar ndarjen e Kosovës. Nënsekretari amerikan i shtetit Nikolas Bërns deklaroi dje se nuk do të ketë asnjë ndarje të shtetit të ri dhe në asnjë formë. Zyrtari i lartë i administratës amerikane u shpreh se SHBA-të dhe aleatët e saj europian përkrahin pavarsinë e Kosovës në interes të një Ballkani të qëndrueshëm. "Ne as nuk do të mbështesim e as nuk do të tolerojmë çfarëdo lëvizje rreth ndarjes së Kosovës", tha Bërns, duke iu bashkangjitur deklaratave për kufijtë e pandryshueshëm të Kosovës, të vetë presidentit amerikan Xhorxh Bush dhe të dërguarit të posaçëm evropian në Kosovë, Piter Feith. Ai e bëri të qartë se Washingtoni nuk do të tolerojë apo përkrahë asnjë lëvizje për çfarëdolloj ndarje të Kosovës. Bërns tha se nuk do të ketë as ndarje de fakto, as ndarje graduale dhe as de jure, siç mendojnë grupe të caktuara duke marrë pushtetin nga institucionet e UNMIK-ut. Mediat amerikane njoftuan dje se Washingtoni zyrtar ia ka bërë dje të qartë Serbisë se kundërshton çfarëdolloj përpjekje për ndarje të Kosovës. Nënsekretari Bërns ka theksuar se shumica e vendeve të botës mbështesin pavarësinë e Kosovës. Ai komentoi gjithashtu edhe pohimet e ministrit të jashtëm serb Vuk Jeremiç, në shkrimin e tij në të përditshmen The New York Times, ku ai shprehej se Serbisë i është bërë një “padrejtësi historike”. Bërns tha se serbët po harrojnë vitet 90 dhe përpjekjet për spastrimin etnik të shqiptarëve. "Është hipokrite për ministrin e Jashtëm serb që të shkruaj në gazetën tonë dhe në mediat tona duke u sjellë sikur nuk ka ndodhur asgjë më 1998 dhe 1999, në një kohë kur padrejtësitë e tmerrshme i përjetonte popullata shqiptare e Kosovës. Serbia u përpoq t'i përzërë me forcë një milion shqiptarë dhe për shkak të kësaj historie Kombet e Bashkuara e morën Kosovën nga Serbia. Ne nuk kemi harruar", tha ndër të tjera nënsekretari amerikan i Shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›