E Diel, 1 Nëntor 2026

"Xhuveli fajtor për drogën"

Lufter Xhuveli gjatë një fjalimi

Policia shqiptare zbulon shkaktarin pse kultivimi i kanabisit ne vendin tone eshte ne keto nivele. Fajtori quhet Lufter Xhuveli

TIRANE – Kush kujton se përgjegjëse për luftën kundër drogës është Policia e ka gabim. Përgjegjëse është edhe ministria e Xhuvelit, ajo e mjedisit. Kështu tha dje Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ahmet Prençi i cili i akuzoi strukturat e kësaj ministrie te drejtuar nga Lufter Xhuveli, pse s’janë të afta në zbulim, kundërzbulim, asgjësim dhe operacione të tjera të cilat deri tani mendohej se i kryenin strukturat policore. “Ministria e Mjedisit dhe strukturat e saj nuk bashkëpunojnë siç duhet në luftën  kundër kultivimit të drogës”. Akuzat u hodhën gjatë një takimi me kryekomunarët e qarqeve të vendit, në kontributin e tyre për të luftuar mbjelljen e bimëve narkotike. Prençi ka hedhur një lumë vërejtjesh për Policinë Pyjore, e cila nuk ka mbështetur siç duhet ministrinë e Brendshme, për identifikimin e zonave në të cilën mbillet dhe rriten narkotikët. “Policia pyjore, që është në varësi të këtij institucioni, nuk ka identifikuar asnjë rast të vetëm dhe nuk ka dërguar asnjë informacion mbi kultivimin e bimëve narkotike. Ne gjykojmë se këto struktura kanë shumë mundësi për të kontribuar në këtë drejtim”- ka vijuar kryekomisari. Pakënaqësi ka pasur edhe për institucione të administratës publike, të cilat nuk kanë kontribuar dhe mbështetur forcat e rendit për tolerancë zero ndaj trafikimit të lëndëve narkotike. Të vetmit që nuk kishin asnjë përgjegjësi në këtë luftë të pabarabartë kundër bimësisë trullosëse të hashashit, sipas drejtorit të Policisë, ishin vetëm policët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›