E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimet: Si është ndarë toka e gjyqtarit Konomi

Flamur Vezaj

TIRANË- Grupi hetimor i Prokurorisë për Krime të Rënda, i cili po punon për identifikimin e autorëve të atentatit mafioz të vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi, me ndihmën e vendimeve të tre shkallëve të gjyqësorit ka arritur të zbardh të gjitha detajet e pronës së pretenduar nga trashëgimtarët e familjes Toptani dhe asaj Shallvari, ku bënte pjesë edhe familja e gjyqtarit të Vlorës. Nga të dhënat hetimore, mësohet se prona e shumë lakmuar në bregdetin e Durrësit, njihej ndryshe me emrin Çifligu Rrushkull ose Çifligu i Ri sipas hartës së vitit 1919, ku vijëzohen pronat që i përkisnin Miltjadh Shallvarit me një sipërfaqe totale prej 2223 hektar tokë. Kjo sipërfaqe përfshinë pjesën që ndodhet në fshatin Rrushkull, Hamallaj, Gjiri i Lalzit e deri në fshatin Shën Pjetër të Durrësit. Por, nga e gjithë kjo sipërfaqe, sipas prokurorisë, trashëgimtarëve të familjes Shallvari shteti, konkretisht Bashkia Sukth dhe Këshilli i Qarkut Durrës ia ka marr 241 hektar tokë duke ia dhënë banorëve të zonës dhe atyre të ardhur pas vitit 1990 me ligjin 7501 Për tokën.

Ekspertimi

Nga hetimet e kryera dhe administrimi i provave materiale, është konstatuar se gjatë procesit gjyqësor në Gjykatën e Shkallës së Parë në Durrës, me paditës trashëgimtarët e familjes Shallvari kundër Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave qarku Durrës, është kryer një ekspertim për të përcaktuar vendndodhjen, sipërfaqen totale dhe gjendjen juridike të pronës (275 hektar tokë) së pretenduar nga të dyja palët, trashëgimtarët e familjes Toptani dhe atyre të Shallvarit ku bënte pjesë edhe gjyqtari Konomi. Ky ekspertim është kryer nga ekspert topograf të Institutit të Topografisë Ushtarake të cilët kanë konstatuar se prona e trashëgimtarëve të familjes Shallvari në total është rreth 2223 hektar tokë. Nga verifikimi i të dhënave në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pronës së Paluajtshme në Durrës, seksioni i administrimit të tokës në Bashkinë e Sukthit dhe Këshillit të Qarkut Durrës, rezulton se sipërfaqja e tokës shtet, që nuk ka pronar në Hipotekë por që tashmë është fituar me vendim të Gjykatës së Lartë nga familja Shallvari, është rreth 856 hektar tokë. Ndërsa pjesa tjetër prej rreth 138 hektarëve tokë është ndarë për banorët e zonës dhe atyre të ardhur pas vitit 1990 në zonën bregdetare të fshatit Rrushkull, Hamallaj dhe Gjiri i Lalzit nga ligji 7501 Për tokën. Në mesin e kësaj sipërfaqe prej 856 hektar tokë, ndodhet edhe prona prej 275 hektarëve tokë që pretendohet edhe nga familja e trashëgimtarëve të Toptanëve, por, që tashmë është fituar me Gjykatë të Lartë nga familja e trashëgimtarëve të Shalvarrit-thuhet ndër të tjera në dosjen e prokurorisë.

Vendimi

Nga ana tjetër, sipas vendimit të Gjykatës së Lartë (që Shekulli e ka botuar ditë më parë), trashëgimtarëve të familjes Shallvari i njihet e drejta e pronës për 2552 hektar tokë që ndodhej në zonën e fshatit Rrushkull, Hamallaj, Gjiri i Lalzit e deri në fshatin Shën Pjetër të Durrësit. Po sipas këtij vendimi, është vendosur kthimi i 1127 hektar tokë që ndodhej në këtë zonë, është vendosur ti kompensohet sipërfaqja e zënë prej 241 hektar (137 ha i janë ndarë me ligjin 7501) dhe i lind e drejta e parablerjes për dy ndërtesat që ndodhen brenda rrethimit të pronës së Shallvarëve, që është një repart ushtarak dhe dy godina shtetërore.

Historia e çifligarit Shallvari

Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, historia e pronës së shumë lakmuar në bregdetin e Durrësit, njihej me emrin Çifligu Rrushkull ose Çifligu i Ri sipas hartës së vitit 1919, kur prona e çifligarit Miltjadh Shallvari ndodhet e vijëzuar. Por, Mitjadhi rezulton se ka vdekur më 17 maj 1933, por, katër vjet para ndarjes nga jeta, konkretisht më 8 maj 1929, të gjithë këtë pasuri i lë me testament bashkëshortes Sllava Ljubica Maria Amalia Lampo. Ky testament u ekzekutua në vitin 1940, ku në zyrën e Hipotekës së Durrësit u depozitua një dokumente ku shtetasit Edita Shallvari, e bija e trashëgimlënësit Miltjadh Shallvari dhe Nikolo Shallvari, vëllai i trashëgimlënësit Miltjadh Shallvari, ku heqin dorë nga çdo e drejtë që mund tu takojë për efekt trashëgimie mbi pronat që njiheshin si Çfiligu i Rrushkullit dhe Çifligu i Ri, duke i lënë ato në favor të shtetases Sllava Lubica Maria Amalia Lampo. Kjo ka qenë edhe koha kur bashkëshortja e Shallvarit ka u bë pronare e vetme e gjithë kësaj pasurie. Më datë 27 prill 1940, prona në fjalë iu dha kompanisë italiane (I.I.E.A) asokohe për një afat 99 vjet, por më 29 maj 1946, toka në fjalë u sekuestrua nga shteti shqiptar. Pikërisht tek ky vendim i sekuestrimit, sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, më datë 5 tetor 2009 u bazua edhe kërkesa për të trashëguar pronën familja e gjyqtarit të Vlorës dhe trashëgimtarët e tjerë. Pra, duke pretenduar se toka i ishte marrë në 1946 nga shteti, i cili tani duhej ta kthente. Konkretisht, me nr. transkriptimi 126, volumi 15, datë 29 maj 1946, prona ka kaluar në emër të shtetit, me kufizimet: Veri, Ali Bej Qoralliu, Faut bej Toptani, Zija bej Toptani, perëndim, deti, jug, lumi Erzen dhe lindje, Qanie Hanemi, Fuat bej Toptani. Prona në fjalë u konsiderua e konfiskuar në zbatim të ligjit 36, datë 14 janar 1945. Gjykata e Lartë, në përfundim të shqyrtimit vlerësoi se Gjykata e Durrësit kishte të drejtë, në vlerësimin e dhënies në përdorim të pronës tek kompania italiane, pasi nuk ka ndryshuar pronësia e tokës, ajo ka mbetur e trashëgimtares me testament.

Pronat e Konomit

I njihet e drejta pronësisë trashëgimtarëve ligjorë mbi një sipërfaqe toke prej 158 hektar në fshatin Hamallaj Durrës

I njihet e drejta e pronësisë trashëgimtarëve ligjorë mbi një sipërfaqe toke prej rreth 165 hektar në fshatin Hamallaj Durrës

I njihet e drejta e pronësisë trashëgimtarëve ligjorë mbi një sipërfaqe toke prej 2229 hektar pronë në fshatin Rrushkull, Durrës.

Tokat që iu kthyen

U kthehet në natyrë një sipërfaqja e lirë prej 150 hektar e ndodhur në Hamallaj, Durrës

U kthehet në natyrë sipërfaqja e lirë prej rreth 151 hektar tokë të ndodhur në fshatin Hamallaj

U kthehet në natyrë sipërfaqja e lirë prej 826 hektar tokë e ndodhur brenda fshatit Rrushkull, Durrës

Tokat që u kompensohen

U kompensohet sipërfaqja e zënë prej 141 hektar tokë

U kompensohet sipërfaqja e zënë prej rreth 15 hektar tokë

U kompensohet sipërfaqja e zënë prej rreth 85 hektar

KUSH JANË PRETENDUESIT E KËSAJ PRONE NGA DY KRAHËT

Trashëgimtarët e Toptanëve

Abas Hamzaraj

Alma Struga (Toptani)

Azmi Toptani

Bihter Toptani

Jasemin Kosha (Mullaj)

Jusuf Hamzaraj

Merjeme Toptani

Mimoza Jero (Toptani)

Rezar Mullaj

Trashëgimtarët e Shallvarit

Ana Mitro (Veveçka)

Fotaq Konomi (babai i gjyqtarit)

Vasillaq Goxhomani

Eleni Mima

Polikseni Mima

Marjeta Mima

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›