E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Regjistrimi i PD në zgjedhje/ Celibashi: Ende i bindur që Alibeaj nuk e përfaqëson dot PD si kryetar

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi vazhdon të jetë i bindur se vendimi i tij, për mos regjistrimin e PD-së në zgjedhjet e 14 majit me Enkelejd Alibeajn si kryetar të komanduar, ishte ai i duhuri në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor.

I ftuar në emisionin “Publikisht” të Blerta Tafanit në RTSH, Celibashi u shpreh se Alibeaj ka të gjithë legjitimitetin si nënkryetar i PD-së që të ndërtojë marrëdhënie me institucione të tjera, por shtoi se ai nuk kishte atributin për të regjistruar partinë në zgjedhje.

Megjithatë Celibashi shtoi se tashmë duhet respektuar vendimi i KAS dhe Kolegjit Zgjedhor në lidhje me këtë çështje, ku u vendos regjistrimi i PD në zgjedhjet e 14 majit me Enkelejd Alibeajn si kryetar të komanduar.

 “Jam i bindur në lidhje me vendimin që kam marrë. Alibeaj ka të gjithë legjitimitetin si nënkryetar i PD, si i tillë ka legjitimitet që në emër të PD të ndërtojë raporte dhe marrëdhënie me institucione të tjera, por kur vjen puna te përgjegjësia e atij që do të duhet të marri për të regjistruar një parti politike si subjekt zgjedhor, në këtë rast vlerësimi im ka qenë dhe mbetet se ai nuk e ka patur këtë atribut. Ky atribut është i kryetarit të partisë politike, mund të delegohen disa kompetenca të kryetarit të partisë politike, por ka disa përgjegjësi që nuk mund të kalohen. KAS dhe Kolegji Zgjedhor vendosi ndryshe dhe nga tani e në vijim duhet ta lexojmë kështu të gjithë ligjin”, u shpreh Celibashi.

PD-ja ende nuk e ka bërë publik numrin e saktë të kandidatëve për kryetar bashkie në të cilat do të garojë.

“Kam dorëzuar listën me rreth 20 kandidatë, por numrin e saktë e mësoni nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, tha Alibeaj sot në një prononcim për gazetarët në krah të Roland Bejkos të zgjedhur si kandidat për bashkinë e Tiranës. Pas kësaj deklarate disa kandidatë të PD-së janë tërhequr.

Kryetari i KQZ-së deklaroi se deri tani janë 24 subjekte që kanë paraqitur kërkesat për regjistrim të kandidatëve për kryetarë bashkie apo listat shumë emërorë për anëtarë të këshillit bashkiak dhe se nevojitet ende vlerësimi i dokumentacioneve të dorëzuar në KQZ për të patur informacion të saktë mbi numrin e partive që do të garojnë më 14 maj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›