Hetimet e SPAK ndaj Metës, Berisha: Gjithçka në kuadrin e shtetit monist! Aksion opozitar deri në mosbindje civile

Kreu i Partisë Demokratike, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha, ka reaguar në lidhje me hetimin që Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha tha se SPAK është shndërruar në “aneks” të zyrës së kryeministrit Edi Rama dhe se hetimet po zhvillohen në kuadrin e një “shteti monist”.
Berisha theksoi se ata do të vijojnë me aksionin opozitar me të gjitha format e protestave, përfshirë edhe mosbindjen civile.
“Gjithçka është në kuadrin e shndërrimit të SPAK, shërbimit Informativ Kombëtar, komisionit të Dosjeve, në anekse të zyrës së Edi Ramës. Gjithçka zhvillohet në kuadrin e shtetit monist. Aksioni opozitar do të vazhdojë me të gjitha format e protestave, përfshirë edhe mosbindjen civile”, tha Berisha.
I pyetur për marrëdhëniet me tij me Metën, Berisha tha se ata janë në sintoni të plotë.
“Shumë të mira janë marrëdhëniet. Jemi në sintoni të plotë. Asgjë nuk e pengon këtë opozitë nga fitorja. Edi Rama do i ketë kohërat e numëruara, e shihni se si përpëlitet”, u shpreh ai.
SPAK i kërkoi më 24 gusht KQZ-së formularin e dekriminalizimit të Ilir Metës, ndërsa ky i fundit reagoi duke akuzuar kreun e Prokurorisë së Posaçme, Arben Krajën se “po i shërben mafies së inceneratorëve”.
/rtsh.al/