E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimet për 21 janarin ,Berisha: Asnjë urdhër nuk është dhënë për të qëlluar protestuesit

Ish-kryeministri Sali Berisha ka mohuar kategorikisht se ka dhënë ndonjëherë urdhër për të qëlluar gjatë ngjarjeve të 21 janarit, duke e quajtur çdo pretendim ndryshe “mashtrim”.

“Absolutisht asnjë urdhër. Asnjë urdhër nuk është dhënë për të qëlluar. Asnjëherë. Nuk mund të jepet një urdhër i tillë,” deklaroi Berisha.

Ai rrëfeu se në momentet e tensionit, Lulzim Basha dhe drejtues të Gardës i kishin kërkuar të evakuohej, por ai kishte refuzuar.

“Po, Basha ka ardhur në zyrën time dhe ka kërkuar që të evakuohem, sepse ishin thyer xhamat me plumba apo me gurë te dritarja ngjitur me tavolinën time. Ministri dhe komandanti i Gardës më kërkuan të largohem, por unë u thashë ‘jo’. Unë isha në detyrë. Kjo është zyra ime, nuk mund të lë detyrën,” tha ai.

Berisha shtoi se në ato momente kishte pasur një ndërmjetësim ndërkombëtar dhe se ambasadori amerikan kishte luajtur rol për qetësimin e situatës.

“Aty ka pasur një ndërmjetësim ndërkombëtar. Ka ndërmjetësuar ambasadori i SHBA-së dhe çdo oficer i kërkuar nga prokuroria është paraqitur në prokurori, por në ndjekje të lirë. Edi Rama dhe Ina Rama kërkonin të eliminonin zinxhirin e komandës, në një kohë kur Rama kishte deklaruar se beteja tjetër do të ishte vendimtare,” theksoi Berisha.

Në përfundim, ai i quajti “mashtrime” të gjitha akuzat dhe interpretimet që, sipas tij, përpiqen të shtrembërojnë ngjarjet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›