E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimet për Tunelin e Llogarasë dhe progres-raporti i KE, Berisha: Ose Rama largohet, ose historia do na dënojë e do jetë fundi i opozitës

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar nga opozita se duhet të reagojë me protesta për rrëzimin e qeverisë, në të kundërt “do të dënohen nga historia”.

Duke folur për hetimet për Tunelin e Llogarasë dhe inceneratorët, Berisha tha se demokratët dhe qytetarët kanë arsyet më të mëdha për largimin e qeverisë.

“Ose duhet t’i dalim zot qytetarëve, ose historia do na dënojë. Në 32 vite shteti nuk ka patur akt flagrant si ky. Afera e Tunelit të Llogarasë është para së gjithash aferë e Ramës. Ose ai largohet, ose është fundi i pozitës së tij. Kam besim te guximi, trimëria dhe vendosmëria e demokratëve, opozitarëve dhe qytetarëve. Tani e kanë lakuriq narkosin,” deklaroi Berisha.

Ai komentoi gjithashtu raportin e Komisionit Europian për vitin 2025, duke e cilësuar atë një aktakuzë ndaj qeverisë aktuale. Sipas tij, raporti evidenton se qeveria përdor institucionet për përfitime politike dhe ekonomike.

“Ai foli edhe progres raportin e KE për 2025: Raporti thotë se problemi madhor është mënyra se si qeveria i përdor institucionet për përfitime politike dhe ekonomike. Ky raport është një aktakuzë ndaj qeverisë aktuale, ku theksohet se zgjedhjet janë të deformuara. Thotë se korrupsioni lulëzon, kontrolli parlamentar mbi qeverisjes ka degraduar, sistemi gjyqësor është në kolaps, media është e kontrolluar dhe e sulmuar, administrata është e politizuar dhe fondet publike keqmenaxhohen. I kanë bërë një radiografi të pamëshirë regjimit të Ramës”, tha Berisha.

Ndërkohë ditën e sotme, Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, e ka cilësuar progres-raportit të Komisionit Europian për vitin 2025 si pozitiv dhe thekson përparimet e Shqipërisë në procesin e negociatave. Gonzato shtoi se përpjekjet për të përshpejtuar procesin e reformave nuk duhet të cenojnë cilësinë e tyre, duke nënvizuar rëndësinë e debatit të shëndetshëm në Kuvend.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›