E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimet për dështimin e privatizimit të Albpetrolit po keqorientohen qëllimisht

belloEkspertët thonë se hetimet për dështimin e privatizimit të ‘Albpetrol-it’ po keqorientohen qëllimisht, për të mos nxjerrë para ligjit përgjegjësit për dëmin 85 milionë euro, raporton TCH.

“Të 85 milionë eurot që i mungojnë buxhetit të shtetit, nuk është përgjegjësia as e firmës konsulente “Patton Boggs”, as e bankës atje. Përgjegjësia është tërësisht e institucioneve shqiptare dhe loja bëhet që të sfumohet përgjegjësia tashmë dhe sfumimi i përgjegjësisë është që gjoja do të hetojnë mbi kompaninë konsulente dhe mbi bankën amerikane”, thotë për TCH Pajtim Bello, ish-zëvendësministër i Energjetikës.

Edhe Kastriot Bejtaj, inxhinier gjeofizik dhe konsulent për industrinë e naftës, thotë se përgjegjësia është e gjitha e institucioneve shqiptare.

“Subjekti ‘Patton Boggs’, i cili është një konsulent ndërkombëtar, është në pozicionin vetëm të konsulentit. Pra përgjegjësitë ndaj ligjit shqiptar të tij janë zero. Përgjegjësinë kryesore ligjore për dështimin e procesit e ka Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, i cili po ta shqyrtosh veprimtarinë e tij, që nga shpallja e kushteve teknike dhe financiare, konstaston që me një vullnet të plotë ky Komision ka shmangur respektimin e dispozitave ligjore në aspektin teknik dhe financiar, ndërkohë Këshilli i Ministrave e ka mbështetur këtë performancë të këtij komisioni“, thotë Bejtaj.

Dyshimet se garancia e detyruar ligjore prej 85 milionë euro ishte false u hodhën që në fillim të procesit, por Qeveria deklaronte publikisht se ato ishin të sigurta./b.l

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›