E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmitë në hotel: Griselda hyri shtatzënë, doli pa bark

Tiranë- Dy ditë pasi i gjithë opinioni publik mbeti i shokuar nga historia rrëqethëse që rrëfeu Griselda Zaimi, Policia ka arritur të zbardhë të gjitha detajet e kësaj ngjarjeje dhe lëvizjet që 28-vjeçarja ka kryer, përgjatë datave 31 maj dhe 1 qershor. Me anë të një konferencë për shtyp, Policia e Tiranës ka bërë të ditur se më datë 1 qershor, rreth orës 10:00, në ambientet e Policisë së Tiranës është paraqitur Saimir Rroshi, 36 vjeç, i cili ka depozituar kallëzim penal se kunata e tij Griselda Zaimi është rrëmbyer nga disa persona të paidentifikuar, në rrugën “Komuna e Parisit” në Tiranë. Po ashtu, Saimir Rroshi, gjatë deklarimit të tij në Polici, bën të ditur se Griseldën e kanë marrë forcërisht dhe e kanë detyruar të lindë jashtë dëshirës së saj e më pas i kanë rrëmbyer foshnjën e sapolindur. Sipas denoncimit të vëllait të kryebashkiakut të Kavajës në polici, rreth orës 04:00 të datës 1 qershor 2011, Griselda ishte lënë e lirë nga personat që e kishin rrëmbyer, pranë shtëpisë së saj, në qytetin e Kavajës. Menjëherë pas këtij denoncimi, nisi puna për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, ku në fund të saj rezultoi të ishte një trillim i ngritur nga ana e Griselda Zaimit. Sipas hetimeve të policisë, mësohet se fillimisht Griselda ka pirë një kafe me një shoqen e saj me incialet J.T., pranë një lokali në ambientet e “Kristal Center”, lokal i cili është në pronësi të familjes Rroshi. Sipas dëshmisë së shoqes, mësohet se kanë qëndruar deri rreth orës 19:00 të datës 31 maj. Më pas, ato kanë dalë nga lokali dhe Griselda ka hipur në një taksi, duke i thënë shoqes që do të shkonte në shtëpi. Sipas deklarimeve të shoqes thuhet se Griselda dukej shtatzënë, pranë muajit të lindjes. Itinerari i mëtejshëm është stacioni i taksive në këtë rrugë. Pas hipjes në taksi, Griselda i ka kërkuar taksistit që ta dërgojë në hotel “Broadway”, që ndodhet pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në Tiranë. Sipas dëshmisë së taksistit, i cili ka deklaruar në polici se 28-vjeçarja dukej shtatzënë, ajo ka ndaluar fillimisht te një farmaci në rrugën “Gjik Kuqali”, ku Griselda ka blerë diçka fillimisht dhe më pas është larguar në drejtim të hotelit. Shoferi ka pohuar se e ka lënë vajzën në hotel dhe është larguar, pasi ajo ka bërë pagesën. Hoteli “Brodway” ka qenë ndalesa e dytë e policisë, e cila ka marrë në pyetje punonjësit. Ata kanë deklaruar se Griselda është paraqitur në hotel e vetme, rreth orës 19.30, ka prenotuar një dhomë, duke bërë pagesën dhe më pas ka hyrë në dhomë. Dëshmitarja me inicialet G.H. ka deklaruar se Griselda Zaimi dukej se ishte shtatzënë, kur hyri në hotel. Agjentët e policisë kanë pyetur punonjësin e turnit të natës të këtij hoteli, sipas të cilit mësohet se Griselda ka qëndruar e vetme në dhomë. Gjatë kësaj periudhe, nuk ka hyrë asnjë person në hotel apo dhomën e saj. Në orën 01:50 Griselda Zaimi, ka dalë nga dhoma dhe i ka kërkuar këtij punonjësi të marrë një taksi, pasi nuk ndihej mirë fizikisht. Dëshmitari me inicialet A.M. ka deklaruar se ajo nuk dukej shtatzënë. Pasi ka ardhur taksia, Griselda i ka kërkuar taksistit që ta dërgojë te klinika mjekësore “Ikeda” dhe pasi e ka lënë aty, shoferi është larguar. Rreth orës 02:10, Griselda ka hyrë në këtë klinikë dhe ka deklaruar se nuk ndihej mirë, pasi kishte të vjella dhe diarre. Nga ana e mjekëve të kësaj klinike është bërë menjëherë terapia nga ana e stafit mjekësor, duke e trajtuar me serum. Mjeku ka deklaruar përpara grupit hetimor se Griselda në dukje nuk ishte shtatzënë dhe nuk ka patur ankesa në lidhje me probleme të kësaj natyre. Ndërkohë, nga ana e saj, Policia ka arritur të sekuestrojë dhe të verifikojë të gjitha kamerat e sigurisë, që ndodhen në “Qendrën Kristal” si dhe të disa bizneseve pranë saj, ku nga verifikimi i tyre ka rezultuar se, pasi është ndarë nga shoqja, Griselda Zaimi është larguar me taksi dhe nuk është rrëmbyer nga tre persona të armatosur. Sipas dëshmisë së mjekut të “Ikeda”-s, Griselda Zaimi ka lënë këtë klinikë në orën 03:20 të mëngjesit, pasi ka marrë një taksi dhe është larguar për në drejtim të Kavajës. Pjesa tjetër e historisë, është tashmë e ditur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›