Hetimi i Topallit, PD refuzon kërkesën e 35 deputetëve të PS
Mazhoranca “refuzon” kërkesën e socialistëve për hetimin parlamentar të kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Konferenca e Kryetarëve e mbledhur dje në mesditë ka kthyer mbrapsht për riformulim kërkesën e firmosur nga 35 deputetë socialistë dhe nëpërmjet së cilës kërkohet ngritja e një komisioni të posaçëm hetimor parlamentar për veprimtarinë administrative të drejtuesve të Kuvendit, pra duke përfshirë edhe kryeparlamentaren. Shkak për këtë vendim janë bërë pretendimet e shumicës parlamentare se kërkesa është formuluar në mënyrë antikushtutuese dhe jo konform ligjit për komisionet hetimore.
Konferenca
Konferenca e kryetarëve ka diskutuar dje ndër të tjera dhe për kërkesën e një grupi deputetësh socialistë për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për veprimtarinë administrative dhe buxhetore të Kuvendit, si dhe për programin tremujor dhe kalendarin trejavor të punimeve të këtij institucioni. Në mungesë të kreut të grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, numri dy i deputetëve socialist Erion Braçe edhe si një nga nismëtarët e kësaj nisme, ka argumentuar para Konferencës së kryetarëve nevojën për ngritjen e një komisioni të tillë, si instrumenti i vetëm dhe i garantuar që ka opozita për të hetuar të gjitha shkeljet e vërejtura gjatë dy legjislaturave të ndryshme në drejtim të Kuvendit. Burime nga kjo mbledhje kanë konfirmuar dje se përfaqësuesit e opozitës kanë këmbëngulur se kjo nismë është konform të drejtës që garanton ligji për të realizuar kontrollin e një institucioni të tillë siç është edhe Kuvendi i Shqipërisë. Kështu, mësohet se ata kanë ngritur shqetësimet që përmban edhe kërkesa lidhur me menaxhimin e buxhetit të këtij institucioni si dhe për shkelje të tjera të pretenduara për sistemin elektronik të votimit si dhe për mbajtjen e pagave, dietave etj. nga ana e administratës. Por nga ana tjetër përfaqësuesit e mazhorancës, megjithëse nuk kanë qenë kundër një kërkese të tillë në parim, kanë vlerësuar nevojën për rifomulimin e saj. Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se ka qenë kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, ai që duke iu përmbajtur anës juridike ka konstatuar jo pak mangësi në këtë kërkesë. Sipas tij, mënyra sesi është formuluar kërkesa bën që ajo të jetë në kundërshtim me Kushtetutën, pasi ka një shpërndarje të problematikës që kërkon të hetohet në mënyrë të papranueshme. Ndaj ai ka theksuar se kërkesa ka nevojë të riformulohet. Ndërkohë që kreu i grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi i ka konsideruar çështjet që trajton kërkesa si të ezauruara një herë me anë të mocionit me debat që u zhvillua në fund të vitit të shkuar, ndaj ka vlerësuar si të panevojshme ngritjen e një komisioni të tillë. Pavarësisht këtij qëndrimi, përfaqësuesit e opozitës kanë këmbëngulur se janë në të drejtën e tyre ligjore që të kërkojnë një hetim të tillë, duke paralajmëruar mazhorancën se në rast se nuk pranon një kërkesë të tillë atëherë do t’u drejtoheshin rrugëve të tjera ligjore. Në përfundim Konferenca ka vendosur që t’ia kthejë kërkesën nismëtarëve për riformulim, por duke u shprehur gjithashtu e gatshme që ajo të trajtohet në rast se plotësohet sipas ligjit që në seancën e nesërme.
Kërkesa
Gati një javë më parë 35 deputetë socialistë firmosën kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor kuvendor për hetimin e drejtimit dhe të veprimtarisë së organeve drejtuese dhe shërbimeve të Kuvendit për periudhën shtator 2005 - dhjetor 2010. Ndryshe nga sa kishin paralajmëruar, në këtë kërkesë nuk përmendet emri i kryeparlamentares Jozefina Topalli, pasi në të flitet vetëm për funksionet drejtuese dhe jo për emrat konkret. Komisioni hetimor që kërkohet nga socialistët propozohet të ketë 11 anëtarë, 5 nga opozita dhe 6 nga mazhoranca, me drejtim socialist. Ndërkohë që koha brenda së cilës duhet të veprojë ky komision kërkohet të jetë 4 muaj. Kërkesa për hetimin merr shkas në radhë të parë nga kritikat e vazhdueshme të adresuara nga institucionet ndërkombëtare apo partnerët ndërkombëtarë që asistojnë vendin tonë në proceset integruese. Sipas kësaj kërkese, sekretariati i Kuvendit është përgjegjës për administrimin dhe kontrollin e një prej komponentëve më të rëndësishëm të funksionimit parlamentar, buxhetin dhe shpenzimet. “Të dhëna të tjera të dokumentuara hedhin dyshime të forta mbi fryrje të shpenzimeve financiare për administratën e Kuvendit, shpërdorim të financave të Kuvendit për aktivitete të natyrës politike në funksion të drejtuesit të Kuvendit, cungim dhe mbajtje të pagave dhe trajtimit financiar të deputetëve në kundërshtim me vendimet në fuqi, abuzim dhe diferencim në trajtimin e deputetëve të mazhorancës dhe opozitës përsa i përket pagave dhe përfitimeve të tjera që lidhen me detyrën e deputetit, abuzime me procedurat për vlerësimin dhe tjetërsimin e automjeteve në pronësi të Kuvendit”, - thuhet në këtë kërkesë.