Ligji për prishjen e piramidës hyn në kalendar
Projektligji për ndërtimin e Kompleksit parlamentar hyn në procedurë legjislative. Konferenca e kryetarëve ka miratuar dje dhe kalendarin trijavor dhe programin tremujor të punimeve, duke përfshirë edhe projektligjin “Për ndërtimin e Kompleksit parlamentar”. Megjithatë, duket se diskutimi i kësaj nisme në komisione dhe më pas në seancë plenare do të varet shumë nga qëndrimi që do të mbajë ekzekutivi dhe konkretisht Ministria e Financave, e cila duhet të vlerësojë dhe procedurën e kostos financiare të ndërtimit të parlamentit të ri. Faktikisht opozita mësohet se nuk është shprehur kundër përfshirjes së kësaj nisme, megjithëse ka kërkuar sqarime për procedurën parlamentare. Ka qenë kryeparlamentarja Topalli ajo që ka qartësuar se nisma i ka kaluar qeverisë për miratim. Nisma ligjore për ndërtimin e kompleksit parlamentar te vendi që sot quhet Piramida, deri më tani është mbajtur e fshehtë nga nismëtarët që kësaj here është vetë Kuvendit i Shqipërisë. Megjithatë, është mundur të mësohen disa detaje lidhur me përmbajtjen e saj. Kështu, projektligji përbëhet nga rreth 30 nene dhe në të parashikohen të gjitha fazat që duhet të përshkojë procesi i ndërtimit të këtij kompleksi, që pas bërjes së konkursit për shpalljen e projektit fitues. Sipas projektligjit, Kuvendi merr të gjitha përgjegjësitë për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, ndërsa godina përkatëse duhet të jetë gati brenda datës 28 nëntor 2012, përkatësisht me festimet e 100-vjetorit të pavarësisë së vendit. Sipas kësaj nisme ligjore, nuk parashikohet një kosto financiare për ndërtimin e kompleksit parlamentar, ndërsa në tenderin që do të zhvillohet për ndërtimin e saj, do të kërkohet si kriter koha e shkurtër e ndërtimit dhe një kosto sa më e leverdishme. Vetëm 10 ditë pasi ligji të hyjë në fuqi, Kuvendi do të marrë në pronësi Piramidën. Më pas Sekretari i Përgjithshëm do të marrë në dorëzim punën së bashku me një Komision Shtetëror, i cili do të mbikëqyrë procedurat. Kuvendi do të zhvillojë një tender me negocim, ndërsa për zbatimin e këtij ligji ngarkohet Komisioni Shtetëror të përcaktojë rregulla më të detajuara për prokurimin, ndërsa firma fituese do të përjashtohet edhe nga taksat. Më tej, në projektligj thuhet se çdo institucion tjetër është i detyruar të veprojë sipas kërkesave të Kuvendit. Negocimi i kontratës për ndërtimin bëhet vetëm për 5 ditë dhe për 5 ditë është i detyruar edhe Instituti i Ndërtimit të bëjë oponencën, ndërsa KRRTRSH-ja duhet ta miratojë brenda 15 ditëve.