E Shtunë, 31 Tetor 2026

TIA: Kontrabanda zbuloi institucionet që s’funksionojnë

Lufti Dervishi: Një hetim i thellë gjyqësor duhet të zbulojë shkaqet pse këta persona nuk u zbuluan më parë

Përfaqësuesi i organizatës Transparency International në Shqipëri, Lutfi Dervishi, deklaroi për “Zërin e Amerikës” se kontrabanda e goditur nga Prokuroria ka zbuluar një sërë hallkash që nuk funksionojnë. Sipas tij, kjo skemë kontrabande tregon se një seri institucionesh shtetërore nuk funksionojnë, dhe sektori i antikrimit ekonomik të prokurorisë ka shumë punë për të bërë. Zoti Dervishi tha se një hetim gjyqësor i thellë duhet të nxjerrë në dritë shkaqet se pse nuk u kapën këta kontrabandistë nga inspektorati i cilësisë së hidrokarbureve, pse nuk u zbuluan ata nga forcat e rendit, nga tatimet, nga doganat, dhe nga institute të tjera të kësaj fushe, apo nga organizata të tjera biznesi. Përfaqësuesi i Transparency International Albania thotë se hetimi është i nevojshëm të përfshijë jo vetëm veprimet e këtyre personave të arrestuar, por edhe të atyre që i favorizuan në çdo hap. Po ashtu, në sferën e këtij hetimi, sipas TI, janë abuzimet e konsiderueshme financiare me çmimet e karburanteve, mashtrimi i klientëve, si edhe shkatërrimi i makinave dhe mjedisit nga nafta me cilësi të keqe. Nga ana tjetër, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Tiranës shprehu shqetësimin se tregtarët e kësaj fushe po trajtohen në mënyrë të pabarabartë dhe se kjo valë arrestimesh, po dëmton imazhin e biznesit shqiptar. Në deklaratën e kësaj organizate theksohet se arrestimet e disa sipërmarrësve vendas krijuan një situatë paniku dhe pasigurie, dhe se masat e arrestit nuk janë dhënë sipas ligjit, ndërkohë që prokuroria po dekonspiron hetimet publikisht, duke shkatërruar imazhin e bizneseve, edhe pse me ligj prezumohen të pafajshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›