Hetohet 61-vjeçari, përndiqte 28-vjeçaren
Tiranë
Përndiqte prej dy vjetësh 28-vjeçaren me inicialet I.P., procedohet penalisht 61-vjeçari Emil K., me banim në Tiranë. Burime nga policia bëjnë me dije se i moshuari ishte fiksuar pas 28-vjeçares, e për pasojë e shqetësonte vazhdimisht. Ndonëse ajo nuk i kishte premtuar asgjë, Emili nuk hiqte dorë, duke e ndjekur hap pas hapi, në çdo orë të ditës dhe në çdo vend ku I.P. shkonte. Në një situatë të tillë, e reja nuk ka duruar më dhe i është drejtuar Komisariatit Nr.2 të kryeqytetit, për të bërë kallëzim penal ndaj adhuruesit të saj. Në gjendje mjaft të rënduar emocionale, vajza ka treguar të gjithë historinë e nisur rreth dy vjet më parë. Ajo pretendon se Emil K. e ndalte në rrugë për ti shprehur dashurinë. Për të vërtetuar ndjenjat e thella që kishte për të renë, ai i guxonte që ti premtonte martesë. Para oficerëve të policisë 28-vjeçarja ka dorëzuar edhe disa prova materiale, siç ishin mesazhet që ai i dërgonte gjatë gjithë kohës, incizime në telefon, gjatë momenteve që e propozonte, si dhe foto të përndjekjes. I moshuari prej disa vitesh jetonte i vetëm, pasi i kishte vdekur bashkëshortja nga një sëmundje e rëndë. Por refuzimet e pandërprera të vajzës, e kishin mërzitur Emilin, duke e detyruar që ai ta kërcënonte me jetë. Pas denoncimit, policia ka barë të mundur shoqërimin e të moshuarit. Para oficerëve të policisë ai është shprehur se e dashuronte 28-vjeçaren dhe se ajo i ishte kthyer në fiksim. Ndjenja për të renë, e cila ka moshë të përafërt me fëmijët e tij, ishte e parezistueshme dhe se kërcënimet i kishte bërë në momente acarimi, pas refuzimeve të vazhdueshme. Ndaj 61-vjeçarit është ngritur akuza e kanosjes, si dhe akuza e ndërhyrjes së padrejtë në jetën private. S.M.
Hetohet 61-vjeçari, përndiqte 28-vjeçaren burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email