Vrau në vitin 1997 burrin e tezes, dënohet me 10 vite burg
Vendimi
Rigjykimi i ul 15 vite burg Vullnet Muçellit, qëlloi me kallash Adriatik Zotajn
Ngjarjet e vitit 1997 vazhdojnë të jenë në procese hetimore dhe gjyqësore. Gjykata e Tiranës ka dënuar disa ditë më parë Vullnet Muçellin, i cili vrau burrin e tezes. Ai qëlloi me breshëri kallashnikovi ndaj Adriatik Zotajt, ndërsa për prokurorinë sherri kishte nisur për tregtinë e floririt. I akuzuari u arratis në Angli dhe pas 15 vitesh u arrestua dhe u ekstradua në vendin tonë. Sipas ligjit, ai kishte të drejtën për tu rigjykuar, pasi më parë u dënua me 25 vite burg. Nga shqyrtimi gjyqësor, rezultoi se Zotaj ka qenë banor në Lushnjë dhe ka jetuar me qira në Tiranë. Ai ka jetuar me Lindita Halilin, tezen e të pandehurit. Marrëdhëniet mes tyre kanë qenë të mira, deri pak ditë para ngjarjes, ku kanë pasur një konflikt për problemin e disa florinjve, siç provohet nga një shkresë dore, ku vërtetohet se secili do të shikojë punën e tij.
Ndërkohë, më 13 qershor 1997, Alketa Muçelli ka ardhur në Tiranë, për një vizitë mjekësore. Rreth orës 12:00 të kësaj dite, Alketa ka shkuar në shtëpinë ku banonin Adriatik Zotaj e Lindita Halili, për të takuar të pandehurin. Ajo ka shkuar në këtë shtëpi dhe dera është hapur nga Zotaj. Lindita nuk ka qenë në shtëpi. Më pas ka ardhur i pandehuri Vullnet Muçelli, i cili ka pasur një çantë në krah. Vullneti është përshëndetur me disa persona, të cilët janë edhe dëshmitarë, dhe ka hyrë në banesën e viktimës. Pas një farë kohe, nga dëshmitarët janë dëgjuar disa krisma automatiku. Një banore ka parë brenda në banesë, ku Adriatiku ishte i shtrirë dhe i gjakosur. Ajo kanë parë duke zbritur shkallët Muçellin. Janë marrë gjurmët e gishtave dhe janë konstatuar se ka pasur gjurmë të të pandehurit. Prokuroria, në konkluzionet e saj, kërkoi dënimin e këtij personi me 25 vite burg. Ndërkohë, mbrojtja dha argumentet e saj, ku kundërshtoi akuzën. Ajo e cilëson ngjarjen nga gjaknxehtësia. Ngjarja ka qenë e çastit, si rrjedhojë e fyerjeve dhe veprimeve të dhunshme të viktimës dhe veprimeve mbrojtëse të të pandehurit. Viktima pinte alkool dhe nuk e komandonte veten, si dhe ishte provokues e ngacmues ndaj gruas së të pandehurit edhe në prani të tij. Ditën e ngjarjes i pandehuri kishte shkuar bashkë me Alketën në Tiranë. Alketa kishte shkuar e para, pasi Vullneti do të takonte një person tjetër. Më pas kishte shkuar edhe Vullneti. Sapo është ndodhur përballë derës së banesës të viktimës, i pandehuri ka trokitur, por dera nuk u hap shpejt si zakonisht, por u hap rreth dy-tre minuta më pas, pasi ai kishte trokitur disa herë radhazi e me forcë. Për shkak se dera u hap me vonesë, si dhe faktin se Lindita nuk ndodhej në shtëpi, duke dyshuar, i pandehuri i ka kërkuar llogari viktimës, përse nuk e hap ti derën menjëherë, ndërsa i ka bërtitur të fejuarës, pohon avokati, duke saktësuar se pas këtij episodi ata janë përleshur dhe i pandehuri e ka qëlluar me kallashnikov. Pas ngjarjes, ata kanë shkuar në Angli, ku dhe u kap.
Gjykata, pasi ka dëgjuar pretendimet, pohon se nuk ka prova për variantin e prokurorisë, duke pranuar më shumë arsyetimin e mbrojtjes. Për rrjedhojë, ajo e dënoi me 15 vite burg, por duke qenë me gjykim të shkurtuar, Muçelli u dënua përfundimisht me 10 vite burg, nga 25 që ishte dënuar më parë.
Vrau në vitin 1997 burrin e tezes, dënohet me 10 vite burg burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email