E Diel, 1 Nëntor 2026

Hezbollah nxit protesta të tjera, shkak filmi

Lideri i grupit militant mysliman Hezbollah, Sheiku Hassan Nasrallah ka reaguar ndaj filmit që ofendon profetin Muhamed dhe fenë islame, duke thënë se nuk do të rrinë të heshtur, madje ai ka bërë thirrje për protesta të reja.

Sheiku Nasrallah bëri të ditur se “myslimanët nuk do të qëndrojnë të heshtur para këtij ofendimi të rëndë”, duke iu referuar filmit që ka shkaktuar protesta të shumta në botën arabe, pasi ofendon profetin Muhamed dhe fenë islame.

Në një fjalim për televizionin e Hezbollahut, al-Manar, Nasrallah apeloi për protesta të reja gjatë kësaj jave, që do të nisin të hënën në Bejrut, një fortesë e Hezbollahut.

“Filmi është ofendimi më i rrezikshëm që i është bërë ndonjëherë islamit. Është më keq se romani i Selman Ruzhdi ‘Vargjet Satanike’ dhe karikatura e profetit Muhamed, që u publikua në një gazetë daneze në vitin 2005”, theksoi sheiku Nasrallah.

“Meritojnë dënim ata që janë përgjegjës për filmin dhe ata që qëndrojnë pas tyre duke i mbështetur. Mbështetësit kryesorë dihet që janë SHBA-të”, shtoi kreu i Hezbollah.

Protestat janë përqendruar në ambasadat dhe konsullatat amerikane për faktin se filmi është prodhuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas BBC, të dielën një person ka vdekur në përleshjet mes protestuesve dhe policëve në Pakistan.

Filmi “Pafajësia e Myslimanëve”, është një prodhim shumë i dobët që e përshkruan profetin Muhamed, si një njeri të etur për pushtet dhe të çmendur. Gjithashtu në film ka skena ku tregohet profeti Muhamed duke bërë seks me gruan e tij dhe me shumë gra të tjera.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›