Hidro-politika, aty ku i mbyturi të mbyt

Nocionet enciklopedike njoftojnë se trupi i njeriut është i përbërë me 70 për qind nga uji, po ashtu është e vërtetë se vetë planeti tokë është i përbërë nga e njëjta përqindje uji, madje në këtë të vërtetë të madhe hyjnë edhe përmbytjet në ultësirën veri-perëndimore të Shqipërisë, aty ku natyra po kërkon të përpijë për pak kohë edhe një copë tjetër tokë. Kemi dy javë që notojmë në dëshminë e fatkeqësisë natyrore të përmbytjeve në rrethet e Lezhës dhe të Nënshkodrës. Mijëra hektarë tokë dhe shtëpi gjendet të lagura deri në fyt nga vërshimi pa masë i ujit të kaskadave të Drinit. është koha e duhur për t’u gjendur pranë banorëve të zonave të përmbytura, qoftë edhe me një solidaritet të vogël në numrat e llogarive bankare të Emergjencave civile, pasi lehtësimi i dhimbjes së evakuimit nga shtëpitë dhe pasuritë e tyre do të ishte më i pranueshëm. Evakuimi ka qenë dhe mbetet i domosdoshëm për zonat e shpallura në rrezik nga përmbytjet e baticës apo nga hapja e portave të digave.Kuptohet vetiu se emergjenca nuk është kaq dramatike sa trumbetohet, nuk ka krizë humanitare, as lënie në mëshirë të fatit të zonave të përmbytura, përkundrazi, ka një angazhim total të strukturave shtetërore. është lehtësisht e verifikueshme se çdo sekondë, çdo minutë, çdo orë punohet në koordinim të plotë në përballimin me sukses të situatës. Emergjencat Civile - për të thënë të drejtën mes nesh - nuk janë përballuar asnjëherë me vërshimin galopant të natyrës mbi popullatën e pambrojtur, por çuditërisht po e përballojnë në mënyrë të paqortueshme menaxhimin e situatës. Nuk ka eufori luksi në këtë mes, por shpëtim të situatës nga dramatizimi i mëtejshëm. Sot as që është dita për të bërë gjykime apo estetizime të panevojshme se si po menaxhohet situata në Veri-perëndim të Shqipërisë, pasi moralisht është e papranueshme ta cilësosh ndër-veprimin e tyre në terren. Nuk them se duhen bërë lajka në favor të tyre, por një këndvështrim të arsyeshëm mund të shprehemi veç se ç’mund të ishte bërë më shumë. Ndërsa institucione të ndryshme po përballen me emergjencën, disa individë të papërgjegjshëm - të kudo ndodhur - si politikanë ashtu edhe krijues të opinioneve pa vizion, po kërkojnë të qëllojnë në drejtim të kryqit të kuq, me qëllim denigrimin e institucioneve me shkumën e qaramanëve. Ashtu pa shkak janë të armatosur të qepin çdo qefin virtual për të krijuar mosbesim në institucionet që veprojnë në terren. Helmimi i informacioneve me alarmimin artificial të popullatës po bëhet në mënyrë aspak profesionale dhe pa pikë etike. është njësoj me të mbyturin që të mbyt edhety duke të tërhequr në fund me ligësinë e tij. Njerëzia u tmerrua nga hidro-fobia alarmiste dhe parashikimet ogurzeza të përmbytjeve, të shembjes së digave, të daljes nga shtrati të lumit Buna, etj.Ndërkaq është bërë sport kombëtar tek ne që allasoj “specialistësh” apo “ekspertësh” të orës së fundit dalin si kasandra pas pilafit në media, me pista arsye-hetimi të emergjencës dhe sesi mund të evitoheshin. Kështu është e vërtetë se mungesa e plotësimit të investimeve në argjinatura, mos-krijimi i institucione të survejimit dhe studimeve që mund t’i parandalonin këto fenomene, ndërtimet pa kriter në zonë, papërgjegjshmëria infantile, abuzimi pa kriter me gërryerjen e lumenjve, është ndër pasojat që situata e vështirë po zgjerohet përtej konditës normale që kanë hapja e portave të digave, etj. Hidro-politika është përvijuar me akuza reciproke rreth menaxhimit të emergjencës, kurse realiteti kërkon një solidaritet kapilar që makina shtetërore të veprojë me shpejtësi e profesionalizëm. është momenti që të jemi me njerëzor në kuptimin dhe menaxhimin e situatës, pa qëllime dashakeqe....