Hija e një zemërimi
Një udhëtim me tren nga Zagrebi në Sarajevë.
1. Nisja
Asnjë tren në Ballkan nuk niset në kohë. As në Zagreb, edhe pse Kroacia synon që brenda pak vitesh të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Sipas planit, treni nga Zagrebi në Sarajevë duhet të niset në orën 08:55. Është ditë e diel, duket që edhe punëtorët e stacionit të trenit në Zagreb e marrin punën me ngé. Pas një vonese prej 40 minutash, treni më në fund niset; një grua e moshuar pyet nëse ky tren shkon në Ploçe? "Po, shkon! Përmes Sarajevës! Ploça gjendet në bregdet!" Është ditë e diel dhe në Kroaci pothuaj askush nuk udhëton me tren, përveç konduktorit dhe një plake. Pas një orë udhëtimi arrijmë në Sisak. As këtu nuk ka udhëtarë, shumë afër në horizont shihet qyteti dhe disa fabrika, në qiell gjurmët e një avioni, pastaj, afër kufirit me Bosnjën, një lumë. Policët në kufi janë të përzemërt. Nuk pyesin nga vjen dhe nga po shkon? Sa do të rrish në Bosnjë dhe pse? A ke deviza?
Megjithëkëtë përzemërsi policore, diçka të vret syrin. Sipas marrëveshjes së Daytonit në Bosnjë të gjithë janë të barabartë, nuk ka lidhje nëse janë boshnjakë (myslimanë), serbë apo kroatë, romë, hebrenj, jugosllavë etj. Por, shkronjat e Daytonit kanë mbetur të vdekura. Në "Republika Srpska", në principatën e sunduar nga serbët, në asnjë stacion hekurudhor toponimet nuk janë të shënuara në dy gjuhë. Prijedor - vetëm në alfabetin cirilik. Banjallukë - po ashtu. Doboj - po ashtu. Në Kosovë dygjuhësia respektohet edhe atëherë kur është qesharake. A i keni parë tabelat: Junik/Junik (domethënë njëherë shqip, njëherë serbisht, por shkruar pa asnjë dallim, sepse as që ekziston një dallim). Ose: Gazimestan/Gazimestan! Prizren/Prizren!
2. Minare dhe studentë
Pas Dobojit vagonët e vjetër të trenit mbushen me studentë. Janë boshnjakë, djem e vajza, të cilët studiojnë në Sarajevë. Si çdokund në Ballkan edhe në Bosnjë njerëzit të pyesin menjëherë për gjithçka. "Ku po shkon? Pse? Pse me tren? Ku banon?" Nga dritarja e trenit shihen shtëpi të sapondërtuara dhe aty-këtu xhami me minare të reja, të bardha, elegante, tamam ashtu si dikur, kur Bosnja ishte vend i qetë. Studentët në vagonin e trenit Zagreb-Sarajevë janë tepër gazmorë. Derisa një studente përpiqet me gjithë forcën të hapë një dritare të prishur, e cila natyrisht s'hapet, disa djem thonë: "Në çdo përpjekje ndodhet çelësi i suksesit". Ky është ai humori i famshëm boshnjak! Pastaj zhvillohen muhabete të zakonshme, si çdo kund të Evropë. Kush e ka telefonin më të mirë? Kush e ka Ipodin më modern?
Kush me kënd dhe kur dhe si dhe ku? Një vajzë thotë se nuk ka profil në Facebook dhe ballafaqohet me shpotinë e mobilizuar të të gjithë vagonit. Tmerr! Ajo premton se sapo të mbërrijë në Sarajevë, do të bëhet pjesë e Facebook-ut. Bosnja normale, deri-diku. Në fakt, këta të rinj që udhëtojnë nga Doboji në Sarajevë janë gjenerata më e izoluar në Evropë. Për shkak se politikanët nuk i kanë zgjidhur detyrat, shtetasit e Bosnjës duhet të presin ende, derisa Evropa të liberalizojë vizat. Viktimat e Ratko Mladiqit nuk mund të udhëtojnë në Berlin e Barcelonë. Kasapët e Mladiqit - po! Ata vetëm duhet të kenë një pasaportë biometrike të Republikës së Serbisë. (Bashke me trenin udhëton edhe hija e vagonëve pranë hekurudhës, hija e zemërimit).
3. Thika dhe Ceca
Në stacionin e trenit në Sarajevë studentët shpërndahen me shpejtësi, disa me taksi, të tjerët me tramvaj, ikin në drejtim të konvikteve, është ditë e dielë, dielli ende shihet mbi shkrepat e maleve e kodrave që rrethojnë kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës. Prej këtyre kodrave para disa vitesh kishte shtënë me mitraloz Radovan Karagjiqi. Dikur ky poet, psikolog, psikiatër dhe psikopat kishte shkruar një poezi, ku paralajmëronte vrasjen e qytetit. Si shumë malazezë që zbresin në qytet edhe Karagjiqi ëndërronte të hyjë në histori. Nacionalizmi serb, ideologjia fashiste e Dobrica Qosiqit, muzika e Cecës, çizmet dhe thikat e Arkanit - të gjitha këto instrumente dhe elemente të krimit i mundësuan Karagjiqit të ngjitet në majat e politikës.
Të tund dorën e Butros Ghalit, Jasushi Akashit dhe banditëve të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare, të cilët ose kanë qenë qëllimkëqij, ose naivë, ose cinikë - ose të gjitha së bashku. Gati dy decenie pas fillimit dhe 14 vjet pas përfundimit të luftës duket që "ndërkombëtarët" nuk kanë mësuar shumë mbi këtë vend dhe këtë qytet, Sarajevën. Në fund të shekullit 19-të Peranoria e Habsburgëve kishte dërguar zyrtarë më të kualifikuar në Bosnjë se sa bashkësia ndërkombëtare sot.
4. Pritje
Mjafton të mbështetesh për muri gjatë një pritjeje në një ambasadë të një vendi të madh dhe të rëndësishëm të Bashkimit Evropian. Dhe të shikosh miletin që defilon atypari. Atashe ushtarakë me uniforma solemne, të cilat janë të denja edhe për cirk. Diplomatë që më parë i ke takuar në Prishtinë ose Podgoricë. Përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët pothuaj nuk rrëzohen nga rakia dhe nga lavdërimet që i bëjnë "projekteve" të tyre. Diplomatë që thonë: Çështja e Kosovës është zgjidhur, por Kosova s'ec përpara derisa nuk ka parti politike, derisa këto parti politike vazhdojnë të jenë "ndërmarrje ekonomike". Një diplomat i lartë ngjashëm mendon edhe për partitë në Bosnjë. Pastaj analizat e tjera, përrallat e papritura dhe anekdotat zhduken në zhurmën e bashkësisë ndërkombëtarë dhe statistëve të tyre lokalë. Sonte askush nuk mendon për të rinjtë e vagonit. Treni vazhdon të ecë - pa cak!