'Dosjet', Komisioni i Venecias rrëzon Berishën
Komisioni i Venecias një organizëm i Këshillit të Europës i përbërë nga ekspertë ligjorë e konsideroi si antikushtetues të ashtuquajturin ligjin e dosjeve të miratuar nga parlamenti
shqiptar në fund të vitit të shkuar, vetëm me votat e mazhorancës.
Ky ligj parashikonte pengesën për të mos punuar në poste të larta të administratës publike persona që kanë shërbyer në funksione zyrtare gjatë regjimit komunist.
Pas rrëzimit në Kushtetuese, kjo është goditja e dytë që i vjen ligjit të Lustracionit.
Sipas arsyetimit të bërë nga komisioni i Venecias, ligji hyn në ligjet e thjeshta e ndonëse për nga natyra e tij nuk mund të ndryshojë çka parashikohet në kushtetutë, modifikon garancitë kushtetuese të përcaktuara për funksionarët e lartë të shtetit.
Komisioni kujton se kushtetuta shqiptare përcakton specifikisht rastet dhe procedurat për ndërprerjen e mandatit të presidentit, anëtarëve të gjykatës së lartë dhe të deputetëve. Ndërkohë që ligji i dosjeve i fshin këto garanci që atyre u jep mandati, kanë shpjeguar ekspertët e komisionit të Venecias.
Duke vënë në zbatim këtë ligj, saktëson komisioni, çdokush, përveç atyre që i janë kundërvënë hapur regjimit komunist, mund të përjashtohet përgjithnjë nga çdo funksion publik pa pasur mundësinë për t'u mbrojtur apo për ta kundërshtuar vendimin. Ligji i dosjeve në Shqipëri shkaktoi një furtunë të vërtetë politike.
Thuajse të gjitha organizmat ndërkombëtare e kundërshtuan atë duke shprehur shqetësim për aspekte antikushtetuese të tij, por megjithatë shumica e djathtë e miratoi atë duke e konsideruar një akt historik.
Më pas, ishte Gjykata Kushtetuese e vënë në lëvizje nga opozita, Komiteti shqiptar i Helsinkit dhe shoqata e gjyqtarëve dhe prokurorëve, e cila pezulloi efektin e ligjit, në pritje të vendimit të djeshëm të Komisionit të Venecias.