E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, projektligj për hetimin e zgjedhjeve

Një grup juristësh të selisë rozë kanë përfunduar draftin që bën të mundur transparencën e zgjedhjeve dhe hapjen e kutive


Drafti do të paraqitet si nismë ligjore e 20 mijë zgjedhësve. Nisi dje procesi i mbledhjes së firmave

Partia Socialiste ka gati projektligjin për hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Për t'i prerë rrugë çdo justifikimi të mazhorancës, se pamundësitë ligjore bëjnë të pamundur hapjen e kutive të votimit dhe hetimit të zgjedhjeve, selia rozë duke angazhuar një sërë ekspertësh të fushës juridike dhe ligjbërës ka mundur të hartojë një draft të posaçëm ligjor që pritet ta paraqesë në Kuvend për miratim, si propozim të 20 mijë zgjedhësve dhe nëpërmjet të cilit kërkon të krijojë hapësirën e duhur për të kryer këtë proces.

Projektligji
Drafti në fjalë pavarësisht se nuk është bërë ende publik në formën e tij të plotë, është bërë i njohur në përmbajtjen e tij për qytetarët që mbështetën protestën e opozitës, të cilët kanë hedhur dhe firmat e para në mbështetje të tij për ta paraqitur si propozim të 20 mijë zgjedhësve. Madje, siç edhe kanë bërë të ditur drejtuesit e Partisë Socialiste një prej qëllimeve të protestave që do të mbahen nëpër Shqipëri, përveç atyre të sensibilizimit të shoqërisë dhe strukturave shtetërore për të bërë transparencën e zgjedhjeve, është edhe ai për të bërë të mundur mbledhjen e firmave të duhura nga qytetarët për të mbështetur projektligjin në fjalë. Siç bëhet e ditur, ky draft përmban në tërësinë e vet 13 nene, nëpërmjet të cilave synohet të krijohen hapësirat e duhura ligjore, jo vetëm për të hapur kutitë, por edhe për të hetuar çdo aspekt që ka ndikuar në shprehjen e votës te qytetarët, siç është rasti i punonjësve të administratës shtetërore, apo ai i nxjerrjes së të burgosurve nga burgjet.

Disa detaje të këtij drafti i ka zbardhur dje juristi dhe përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj, i cili duke folur gjatë protestës së djeshme ka ftuar qytetarët të mbështesin këtë nismë. Nisma, sipas tij, ka bazë kushtetuese dhe nëpërmjet saj mund të krijohen hapësirat për të zbardhur të gjitha shkeljet e bëra në zgjedhjet e datës 28 qershor. Ai ka theksuar, se nëpërmjet këtij ligji do të hetohet çdo institucion publik, që për cilëndo lloj arsyeje, dhunoi të drejtën e qytetarëve për t'u shprehur lirisht dhe për të numëruar atë votë, ashtu si qytetarët e kanë hedhur. "Kjo iniciativë do të sigurojë hetimin e çdo pretendimi publik, vendas apo ndërkombëtar, për shkeljen e akteve ligjore në lidhje me procesin zgjedhor të 28 qershorit", - tha Gjonçaj.

Gjithashtu, ai ka theksuar se hetimi, që do të sigurohet nëpërmjet këtij drafti, do të jetë i pakufizuar, dhe që trajton çdo provë të manipulimit të zgjedhjeve. Natyrisht efektet e këtij ligji, gjithmonë nëse miratohet do të jenë vetëm për këto zgjedhje dhe me mbylljen e këtij procesi transparence ai parashikohet të shuajë efektet e veta. Nisma në fjalë bëhet prezente vetëm një ditë pasi kryeministri Berisha deklaroi se kuadri ligjor nuk lejon që Kuvendi të hetojë mbi vendimet e organeve të drejtësisë, përfshi edhe ato që kanë të bëjnë me zgjedhjet.

Procedura
Për shkak të vendimit të tyre për të bojkotuar Kuvendin, por edhe për t'i dhënë kësaj çështjeje një mbështetje jo vetëm politike, por edhe qytetare, socialistët janë të detyruar për ta paraqitur atë për miratim në Kuvend, ta paraqesin si nismë të 20 mijë zgjedhësve. Kështu, duke shfrytëzuar, pikërisht, mundësinë që krijon neni 81 i Kushtetutës, i cili parashikon që "të drejtën për të propozuar ligje e ka Këshilli i Ministrave, çdo deputet, si dhe çdo 20 mijë zgjedhës", selia rozë ka nisur dje procedurat e mbledhjes së firmave të duhura. Në këtë kuadër dje në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në mbi 12 tavolina qytetarë të pranishëm në miting kanë firmosur për këtë nismë. Pas Tiranës i njëjti proces do të vazhdojë dhe në qytetet e tjera, ku dhe do të shtrihen protestat e opozitës. Më pas, me mbledhjen e firmave, projektligji pritet t'i paraqitet Kuvendit për miratim, i cili nga ana e vet është i detyar ta fusë atë në shqyrtim, sipas afateve të përcaktuara.



Kushtetuta, Neni 81

1. Të drejtën për të propozuar ligje e ka Këshilli i Ministrave, çdo deputet, si dhe 20 mijë zgjedhës.

2. Miratohen me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit:
a) ligjet për organizimin dhe funksionimin e institucioneve, të parashikuara nga Kushtetuta;
b) ligji për shtetësinë;
c) ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore;
ç) ligji për referendumet;
d) kodet;
dh) ligji për gjendjen e jashtëzakonshme;
e) ligji për statusin e funksionarëve publikë;
ë) ligji për amnistinë;
f) ligji për ndarjen administrative të Republikës.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›