E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hije trukimi në ndeshjet e klubeve shqiptare

Edhe në këtë sezon të Kupave të Europës, vendi ynë u përfaqësua me 4 skuadra, 1 në Ligën e Kampioneve, Tirana dhe 3 në Ligën Evropiane, Flamurtari, Dinamo dhe Vllaznia.  

Ende nuk mund të mendohet që ekipet shqiptare të kalojnë në fazën me grupe, por të paktën të luhet futboll, ky pretendim është legjitim për këdo sportdashës.

Por skuadrat tona na treguan realitetin tjetër, luajtën 10 ndeshje dhe pësuan 27 gola, duke shënuar vetëm 9. Dinamo dha sinjalin e parë të eliminimit, mundet 4-1 nga Lahti në Finlandë dhe fiton në kryeqytet, por rezultati 2-0 ishte i pamjaftueshem.

Tirana barazon 1-1 në “Qemal Stafa” dhe shkatërrohet 4-0 në Norvegji nga Stabaek, Vllaznia pasi kaloi "Sligo Rovers" në turin e parë, as që guxon të rrezikojë ndaj Rapidit të Vienës, nga i cili pëson 8 gola.

Por goditjen e fundit, futbollit shqiptar ia dha një ndër skuadrat me të shkuarën më të famshme në historinë e ndeshjeve ndërkombëtare, Flamurtari, por që vetem emrin ka të njëtjë me Flamurtarin, që ndali Barcelonën. Rikthehej pas 17 vitesh në kupat e Europës dhe dha një shenjë të mirë në Vlorë, ku fitoi 1-0 ndaj skocezve të Madhëruellit.

Por në ndeshjen e kthimit u mund 8-1, duke mbetur sërish në histori ky emër pasi dhe kjo humbje hyn në histori, si humbja më e thellë e një klubi shqiptar në kupat e Europës. Për asgjë nuk vlejti deklarata publike e shefit të klubit vlonjat, Geri Çipit, i cili në emër të ekipit u kërkoi falje tifozëve për këtë humbje.

Ndoshta mediat e huaja kanë të drejtë që aludojne për shitje ndeshjesh. Prej vitesh tashmë problemi më i madh i futbollit botëror janë bastet.

Mediat rumune e shprehin hapur këtë. E përditshmja “Sport” aludon për një rezultat të fiksuar të Flamurtarit dhe është presidenti i Steauas së Bukureshtit, Xhixhi Bekali, kundërshtari i ardhshëm i Madhëruellit, që shpreh qartë se sa herë luajnë ekipet shqiptare menjëhere fillojnë dyshimet për lojën që luajnë këto skuadra.

Sipas kësaj të përditshmeje, kompanite e basteve në internet kanë bllokuar në momentin e golit të 6-të ndeshjen Madhëruell-Flamurtari.

Ky nuk është fakt, po bazë e ngritjes së dyshimit se mos vërtet klubet shqiptare merren me trukime ndeshjesh.

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›