E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inspektimi nëpër komisariatet e Tiranës zbulon skandalet



Tiranë - Një ditë inspektim të befasishëm nga ora 09:00 deri në orën 17:00 ka nxjerrë dhjetëra shkelje dhe abuzime që bëhen çdo ditë në komisariatet e kryeqytetit, por edhe atë të Vlorës.
Një grup pune i Institucionit të Avokatit të Popullit, pak kohë më parë ka bërë inspektime në dhomat e shoqërimit dhe të izolimit në komisariatet e policisë dhe në Drejtoritë e Policisë së qarqeve Tiranë dhe Vlorë. Inspektimi u krye në orët e paradites deri në kohën e mbarimit të orarit zyrtar të punës. Pas kësaj, Avokati i Popullit ka nisur një rekomandim zyrtar ku kërkon zgjidhjen e dhjetë problemeve që janë cilësuar si shkelje të të drejtave të njeriut. Rekomandimi i është dërguar për dijeni kryeministrit, ministrit të Drejtësisë, ministrit të Brendshëm dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Gazeta “Albania” ka mundur të sigurojë të plotë këtë rekomandim dhe po e boton në numrin e sotëm.
Rekomandimi
Sipas inspektimet ka rezultuar se shoqërimi i personave në organet e Policisë bëhet jo gjithmonë sipas kritereve ligjore. Është konstatuar se shoqërohen në polici persona jashtë kritereve ligjore të përcaktuara në dispozitat e mësipërme, si p.sh. në Komisariatet e Policisë Nr. 2, 3, 4 dhe 5 në Tiranë dhe në Vlorë. Por ndodh edhe që të trajtohen si të shoqëruar persona kur janë të dyshuar si autorë të veprave penale, si p.sh. në Komisariatet e Policisë Nr. 3 dhe 4 Tiranë, apo dhe në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Apo kur janë dëshmitarë të një ngjarjeje, raste këto për të cilat duhet aplikuar e drejta e “njoftimit për paraqitje në polici”, e parashikuar në nenin 100 të ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe jo të bëhet shoqërimi i tyre në polici me detyrim. Nga shqyrtimi rasteve të mësipërme dhe pyetja e punonjësve të policisë, të cilët kishin urdhëruar shoqërimin e shtetasve në polici, rezultoi se këto shkelje të ligjit ishin pasojë e mosnjohjes së konceptimit të ri dhe i kritereve ligjore të shoqërimit të përcaktuar në ligjin e ri “Për Policinë e Shtetit”. Sipas Avokatit të Popullit, në radhët e policisë, duke përfshirë edhe drejtuesit e saj, vazhdon të ekzistojë konceptimi i shoqërimit të shtetasve në polici sipas ligjit të vjetër dhe të zbatohen kushtet dhe rastet e parashikuara prej tij, ndonëse ai është shfuqizuar. Të shoqëruarve në të gjitha organet e policisë u bëhet kontrolli personal dhe u hiqen e bllokohen sendet personale si telefona etj., veprim i cili nuk është në përputhje me ligjin. Gjithashtu është vënë re se në rastet kur shtetasve të shoqëruar u hiqen dhe bllokohen sendet personale, nga punonjësit e policisë nuk mbahet e nuk u jepet poseduesve procesverbali përkatës.
Shënimet
Librat e shoqërimit të shtetasve në polici shpesh plotësohen pa shumë përgjegjësi. Aty nuk pasqyrohet saktë shkaku ligjor i shoqërimit, p.sh. në Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë ishin kapur në flagrancë dy shtetas duke shitur sende të vjedhura dhe ata u ndaluan. Mirëpo në librin e shoqërimit figuronte se ata ishin shoqëruar në polici për verifikim. Në Komisariatin e Policisë Nr. 4 Tiranë ishin marrë dy shtetas si autorë të dyshuar të dëmtimit me dashje të pronës dhe kërcënimit të një shtetasi, ndërsa në libër figuronte se ishin të shoqëruar për konflikt. Po kështu edhe në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë ishin marrë 3 shtetas si autorë të dyshuar për kryerje të veprave penale, ndërsa në libër figuronin si të shoqëruar për verifikimi. Nuk ka dhoma shoqërimi të shtetasve të ndara, për meshkujt, femrat dhe për të miturit. Vetëm në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë ka 1 për femra dhe 1 për të mitur, por nuk ka për të rritur. Ndërsa në Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë ka vetëm 1 dhomë shoqërimi, e cila ndodhet brenda godinës së komisariatit, pranë dhomave të izolimit, por pa derë hekuri.

Kushtet e dhomave

Dhomat e ashtuquajtura për të shoqëruar, në fakt, si nga përmasat, ndriçimi, ashtu edhe nga konceptimi dhe trajtimi i personave të shoqëruar, janë dhoma izolimi, sepse janë me dyer hekuri, të mbyllura me dryna dhe pa ndriçim. Në ndonjë komisariat duhet të kalosh 3 porta hekuri për të shkuar në dhomën e “shoqërimit”, si p.sh. në Vlorë. Por të tilla dhoma shoqërimi, brenda tri dyerve të hekurta e të mbyllura, kemi konstatuar edhe në disa rrethe të tjera gjatë inspektimeve të kryera vitet e mëparshme si p.sh. në Komisariatin e Policisë Dibër. Në shumicën e rasteve, “dhomat e shoqërimit” nuk janë të pajisura me stola apo karrige për t’u ulur të shoqëruarit dhe nuk janë të pastra e të lyera.

Të arrestuarit

Në dhomat e izolimit të komisariateve që janë inspektuar vazhdonin të qëndronin persona të paraburgosur ndaj të cilëve ishte caktuar masa e sigurimit “arrest në burg”, si dhe persona të ndaluar për ekzekutimin e vendimeve penale me burgim të formës së prerë, të dhënë në mungesë dhe nuk ishin dërguar në institucionet e paraburgimit dhe ato të burgimit në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për shkak të pengesave që krijonte vazhdimisht kjo e fundit. Koha e qëndrimit të tyre në ambientet e policisë pas caktimit të masave të sigurimit varionte nga 1 deri 36 ditë. Në disa raste të arrestuarve dhe të ndaluarve, në procesverbalet e arrestimit dhe të ndalimit u shënohet ora e përpilimit të këtyre dokumenteve dhe jo ora faktike si çasti kur atyre u është privuar liria, në fakt. Gjatë kryerjes së veprimeve verifikuese nga punonjësit e policisë ata padrejtësisht trajtohen si të shoqëruar edhe në rastet e kapjes në flagrancë. Duke i trajtuar në këtë mënyrë, atyre nuk u llogaritet në kohën e paraburgimit dhe më pas edhe atë të vuajtjes së dënimit koha gjatë së cilës bëhen verifikimet apo veprimet e ndryshme procedurale, kohë e cila mund të shkojë deri në 10 orë. Theksojmë se në bazë të neneve 144, 250 të K. Pr. Penale, shënimi në procesverbal i çastit (orës) së arrestimit në flagrancë ose të ndalimit është një element i rëndësishëm mbi bazën e të cilit fillojnë të llogariten efektet e paraburgimit. Ndërsa në bazë të nenit 258 të K. Pr. Penale, nga çasti (ora) e arrestimit ose ndalimit fillon afati i 48-të orëve, brenda të cilit prokurori kërkon vleftësimin e masës së sigurimit në gjykatën e vendit ku është kryer arrestimi ose ndalimit.

Rekomandimi
1. Të merren masa të menjëhershme për përmirësimin e kushteve të qëndrimit (jetesës) në dhomat e sigurimit të arrestuarve dhe të ndaluarve në të gjitha organet vendore të Policisë së Shtetit.

2. Të merren masa të menjëhershme për ndërtimin e dhomave të shoqërimit të shtetasve në të gjitha organet vendore të Policisë së Shtetit, sipas konceptimit të Ligjit të ri Nr. 9749, datë 04.06.2007 “Për Policinë e Shtetit”, duke krijuar ambiente të përshtatshme, dinjitoze, të pajisura me orenditë e nevojshme për qëndrim, si dhe të ndara më vete për femrat, meshkujt dhe të miturit.

3. Të merren masa të menjëhershme për ndërtimin në të gjitha organet vendore të Policisë së Shtetit të ambienteve të përshtatshme për shtetasit që aplikojnë për t’u pajisur me pasaporta për jashtë shtetit.

4. Të merren masa të menjëhershme për njohjen e efektivave të policisë me ligjin e ri “Për Policinë e Shtetit” dhe të kërkohet zbatimi me rigorozitet i kritereve ligjore lidhur me rastet e shoqërimit të shtetasve në organet e Policisë si dhe për trajtimin dinjitoz të tyre.

5. Të kërkohet nga oficerët e Policisë Gjyqësore, të cilët bëjnë arrestime dhe ndalime, që të respektohen me korrektesë dispozitat ligjore të K. Pr. Penale lidhur me shënimin në procesverbal të çastit (orës së saktë) të arrestimit apo ndalimit të shtetasve dhe të mos trajtohen ata fillimisht si të shoqëruar.

6. Për të gjitha rastet e arrestimit apo të ndalimit të të miturve të merren masat për t’u siguruar atyre ndihmën e detyrueshme juridike dhe psikologjike. Të merren masat e nevojshme për moslejimin e qëndrimit të të miturve në të njëjtat dhoma izolimi me të rriturit.

7. Të merren masat e nevojshme për transferimin nga ambientet e policisë në institucionet e paraburgimit dhe burgimit, në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të të gjithë të paraburgosurve ndaj të cilëve është vendosur masa e sigurimit “arrest në burg” dhe e të ndaluarve për efekt të ekzekutimit të vendimit penal të dënimit të tyre në mungesë me “burgim”.

8. Të vendosen në ambientet e policisë, duke përshirë edhe ato të sigurimit dhe shoqërimit, postera me të drejtat e personave të arrestuar, të ndaluar dhe shoqëruar. Ndërkohë, të përgatiten sa më shpejtë edhe formularë në gjuhë të huaj ku të pasqyrohen këto të drejta, të cilat t’u serviren shtetasve të huaj kur të ketë raste të tilla.

9. Të merren masa të menjëhershme për kontrollin mjekësor të çdo personi të arrestuar dhe ndaluar nga policia që në momentet e para të heqjes së lirisë, por jo më vonë se 24 orët e para.

10. Të vendoset në ambientet e jashtme, në të gjitha organet vendore të Policisë së Shtetit, orari i pritjes së shtetasve nga drejtuesit vendorë dhe punonjësit e tjerë të policisë.

Të dhëna sipas komisariateve

Në Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë kishte 4 persona ndaj të cilëve nga gjykata ishte caktuar masa e sigurimit “arrest në burg” dhe 1 person i ndaluar.

Në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë kishte një person ndaj të cilit gjykata kishte caktuar masën e sigurimit “arrest në burg” dhe një person të ndaluar.

Në Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë kishte 5 persona ndaj të cilëve nga gjykata ishte caktuar masa e sigurimit “arrest në burg”.

Në Komisariatin e Policisë Nr. 4 Tiranë kishte 5 persona ndaj të cilëve nga gjykata ishte caktuar masa e sigurimit “arrest në burg”.

Në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë kishte 4 persona ndaj të cilëve nga gjykata ishte caktuar masa e sigurimit “arrest në burg” dhe 1 person të ndaluar.

Në Komisariatin e Policisë Vlorë kishte 4 persona ndaj të cilëve nga gjykata ishte caktuar masa e sigurimit “arrest në burg” dhe 1 person të ndaluar.

Vazhdon të ketë raste që të arrestuarit e mitur mbahen së bashku me të arrestuarit madhorë.

Në Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë kishte 1 të mitur dhe në Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë kishte 2 persona të mitur.

Gjithashtu vazhdon të ketë raste që të arrestuarve të mitur nuk u sigurohet mbrojtja e detyrueshme me avokat, si dhe ndihma (asistenca) psikologjike.

Në Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë është konstatuar që i mituri M. V., i datëlindjes 04.09.1990, ishte pyetur për veprën penale të vjedhjes pa praninë e detyrueshme të mbrojtësit.

21 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›