Pse ushqimet ruajnë çmime të larta?
Kërkesa për produktet ushqimore historikisht ka qenë kërkesa që ka shënuar kurbën më të madhe rritëse. Kërkesa për to jo gjithmonë është plotësuar, të paktën nëse i referohemi historisë,për faktin se kushtet atmosferike kanë qenë ndikuesi i parë themelor. Kjo tingëllon habitshëm por dekada më parë të ushqyerit lidhej ngushtë me grurin dhe misrin rritja e të cilëve varej plotësisht veçse nga kushtet atmosferike të cilat jo gjithmonë kanë qenë të favorshme.
Çdo individ e di që çmimi është në varësi të kërkesës dhe ofertës. Zakonisht kur kërkesa për një produkt apo shërbim rritet ,edhe çmimi rritet dhe këtë mund ta themi edhe anasjelltas : kur kërkesa bie edhe çmimi për produktin përkatës bie . Kur oferta rritet ndërkohë që kërkesa për të njëjtin produkt është konstante kjo rrjedhimisht do të çojë në uljen e çmimit, ndërsa kur oferta ulet dhe ndërkohë kërkesa për produktin apo shërbimin mbetet konstante ose rritet sipas çdo ligji të ekonomisë kjo do të përkthehej si rritje çmimi. Çmime të larta kemi kryesisht nëse i kushtojmë rëndësi të ushqyerit shëndetshëm. Shpenzojmë më shumë para nëse duam të hamë perime vendi,fruta vendi,mish të freskët vendi, pra çdo gjë që praktikisht është bio. Por ky është një fenomen botëror në fakt. Në vitet e kaluara çmimet e ushqimeve janë rritur me rreth 37 % në nivel global dhe kjo ka shtyrë 44 milionë njerëz në botë pranë kufirit të varfërisë. Në ekonominë botërore argumentohet shpeshtazi se bankat në një farë mënyre i kanë dhënë një dorë rritjes së çmimeve duke printuar para. Por jo vetëm politika monetare e ka ndikuar rritjen e çmimeve për ushqimet. Në Amerikë psh politikat ekonomike kanë luajtur një rol të rëndësishëm lidhur më këtë fenomen .Një e treta e misrit të rritur është përdorur për karburantin. Për Shqipërinë situata në lidhje me këtë çështje duket më premtuese se në shtete të tjera të cilat kanë potencialin ekonomik për më shumë investime por nuk kanë faktorin “klimë”. Brazili ndeshet me shira të parakohshëm, SHBA-ja me thatësirën, Rusia me vështirësitë e prodhimit, prerjet e kallamsheqerit në Brazil, erërat sezonale në Indi, shiu i varfër në Australi… Shqipëria si një nga vendet më të bekuara për klimën, tejet të përshtatshme për rritjen dhe zhvillimin e produkteve 100% bio është vetëm disa hapa larg zgjidhjes përfundimtare të problemit kryesor të blegtorëve dhe fermerëve. Grantet që do të akordojë qeveria në projekte bashkëpunimi me ndërkombëtarë do t’i japë një dorë të mirë punës dhe investimit në bujqësi dhe kjo detyrimisht dhe rrjedhimisht do të ulë dhe çmimet e ushqimeve në Shqipëri. Kjo ulje do t’i detyrohet eliminimit të kostove të importit të cilat në një masë relativisht të mirë kanë rritur çmimet e produkteve që konsumatori shqiptar blen. Produktet e vendit jo vetëm që do të linin më shumë para në financat e konsumatorit por do bënin që ky I fundit të ushqehej me një dietë plotësisht të shëndetshme duke rritur kështu numrin e personave të shëndetshëm,duke ulur numrin e sëmundjeve të cilat shtojnë numrin ,një pjesë e mirë e të cilave nga hormonet e tepërta që kanë në përbërje produktet ushqimore ,duke shtuar numrin e individëve me imunitet të mirë dhe duke zvogëluar numrin e atyre të cilët fatkeqësisht bëhen shëndetlig veçse nga kequshqyerja. Rritja e çmimeve është përgjithësisht e importuar dhe këtë nuk mund ta shmangim për aq kohë sa tregu ka nevojë, por pa dyshim mund ta shmangim kur vendi të ketë të gjitha potencialet e duhura për të përmbushur çdo kërkesë që ka tregu ,potenciale të cilat janë të afërta dhe premtuese.