E Diel, 1 Nëntor 2026

Hillari Klinton: Progresi i Shqipërisë ka garantuar anëtarësimin e saj në NATO

Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha është takuar dje në Bruksel me sekretaren e Departamentit amerikan të Shtetit Hillari Klinton, ku ka marrë vlerësimin e administratës amerikane për një kurs reformash që po përshpejton ritmet e integrimit të vendit në strukturat euro-atlantike Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha ka takuar dje Sekretaren Amerikane të Shtetit, Hillari Klinton, gjatë takimit të Ministrave të Jashtëm të NATO-s që u zhvillua në Bruksel, ku e pranishme ishte edhe Sekretarja amerikane e shtetit. Gjatë takimit me ministrin Basha, sekretarja Klinton vlerësoi progresin e Shqipërisë në rrugën e saj të anëtarësimit në NATO, duke shprehur bindjen se në Strasburg, Shqipëria do të ulet si anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut. Në fjalën e mbajtur gjatë punimeve të këtij Ministeriali, Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, falënderoi vendet anëtare për finalizimin në një kohë rekord të të gjitha procedurave të nevojshme për ratifikimin e protokolleve të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. 

Ministri Basha u shpreh se, “ndërsa Shqipëria përgatitet për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e Aleancës në Samitin e Strasburg, Kehl 2009, pikërisht në 60-vjetorin e Aleancës, ne jemi më shumë se kurrë të vetëdijshëm për vlerat dhe parimet që mbart kjo Aleancë dhe më të vendosur se kurrë për të dhënë kontributin tonë për t’i ruajtur dhe për t’i avancuar ato, si në vendin tone, në rajon dhe kudo”. 

Kreu i diplomacisë shqiptare vlerësoi angazhimin e NATO-s në Kosovë, si dhe vazhdimin e mëtejshëm të misionit të KFOR dhe EULEX, në konfigurimin aktual si parësor. Ministri Basha mbështeti të gjitha konstatimet e bëra në Këshill nga Sekretari i Përgjithshëm, si dhe nga Ministrat pjesëmarrës, të cilët vlerësuan se situata në Kosovë është përmirësuar rrënjësisht gjatë vitit të fundit që nga pavarësia. Në këtë kontekst Basha tha se një nga sfidat më të mëdha të Kosovës është integrimi i pakicës serbe në institucionet dhe shoqërinë kosovare. 

“Ky integrim, ka si pengesë kryesore financimin dhe mbështetjen e strukturave paralele në Kosovë. Kapërcimi i kësaj pengese do të shtojë sigurinë dhe stabilitetin në Kosove dhe rajon dhe do t’i shërbejë objektivave afatgjata të Aleancës në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha. Në emër të qeverisë shqiptare ministri Basha deklaroi se Shqipëria do të mbështesë objektivat e NATO-s sa i përket angazhimit në Afganistan, duke demonstruar në ketë mënyrë rolin e Shqipërisë si kontribuuese e sigurisë globale. Gjatë punimeve të Ministerialit, Ministri Basha u takua dhe bisedoi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Havier Solana, Ministrat e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Belgjikës, Holandës, Norvegjisë, Çekisë, Kroacisë, Spanjës, Sllovenisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›