Episodi “Pango” - Mazhoranca respektoi standardet, opozita po bashkudhëton me skandalet

Shumica parlamentare dënoi dje njëherazi episodin e turpshëm të ish ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango dhe kërkoi nga ky i fundit të dorëzojë mandatin e deputetit. Mazhoranca reagoi edhe ndaj qëndrimit të opozitës, të cilët për të fshehur perversitetet e tyre banale bashkë me episodet dhe skandalet e pranishme çdo vit, të përfaqësuesve të saj dhe madje deri në rangjet më të larta, si kryetari i PS-së, tentoi dje të kolektivizojë fajin individual, për kapital politik.
Politika ka dënuar dje në unison, episodet e dyshimta dhe imorale të një ditë më parë të ish ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango.
Gjatë punimeve të seancës plenare, deputetët e opozitës, të yshtur nga mundësia e “artë” që u kishte ardhur në derë, si pasojë e skandaleve të një ish ministri, që kurrsesi nuk përfaqëson shumicën apo ekzekutivin në tërësi, vërshuan me një lumë të “pisët” akuzash, drejt qeverisë dhe mazhorancës. Reagimi i menjëhershëm i kryeministrit Sali Berisha, për pezullimin nga detyra të Pangos, deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes, tregon dhe mbetet një mesazh i qartë për cilindo, se episodet dhe sjelljet e dyshimta imorale, mbeten të papranueshme për standardin dhe moralin e pastër të qeverisë, dhe se askush nuk mund të qëndrojë në pozita privilegji dhe pushteti, të cilat bëjnë të pamundur zbardhjen e plotë të ngjarjes, e cila sipas pamjeve dhe imazheve mediatike, vë në pikëpyetje të rëndë figurën dhe moralin e ish ministrit Pango.
Mazhoranca demokratike, e dënoi episodin “Pango” dhe kërkoi në unison dorëzimin e mandatit të deputetit, menjëherë shfaqet opozita e molepsur nga llumi dhe perversiteti, ndërsa nga ana tjetër Prokuroria e Përgjithshme ka iniciuar procedurat e hetimeve, pas marrjes së kasetës filmike.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, dënoi dje ashpër ngjarjen e abuzimit me detyrën të ish-ministrit të Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, duke i kërkuar këtij të fundit të lëshojë mandatin e deputetit. Kryetarja e Kuvendit përshëndeti me këtë rast vendimin e kryeministrit Sali Berisha për shkarkimin e menjëhershëm të ish-ministrit. Ajo e cilësoi ngjarjen si shumë të rëndë, shumë të turpshme dhe shumë të papranueshme dhe shokuese. “Zotëria në fjalë ka tradhtuar moralin e PD-së, ka tradhtuar qytetarët shqiptarë që e kanë votuar. Ai nuk mund të trajtohet kaq lehtë sa e trajtoni ju (opozita). Si kryetare e Kuvendit nuk kërkoj heqjen e imunitetit të tij, por i kërkoj të lëshojë mandatin, se mandati i tij nuk përfaqëson asnjë qytetar shqiptar që e ka votuar”, u shpreh kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, duke reaguar dje në parlament ndaj akuzave të opozitës në drejtim të qeverisë, për episodet imorale të ish ministrit Pango, deklaroi se opozita po abuzon, përderisa po përpiqet të përfitojë politikisht nga ngjarja e abuzimit me detyrën e ish ministrit. Patozi vuri në dukje se reagimi i menjëhershëm dhe pa kushte i qeverisë, ndaj kësaj ngjarje është pikërisht standardi që ka vendosur kjo qeveri. “Është e papranueshme që opozita po përpiqet të përfitojë politikisht, ose të ndërtojë kredencialet e rrënuara politike, mbi një histori e cila është mbyllur vetëm 5 minuta, pas shfaqjes së saj në Televizionin Top Channel. Mbyllja e kësaj historie është edhe standardi që ne kemi vendosur dhe do të vazhdojmë ta mbajmë, standard që ju nuk e keni pasur kurrë. Një mazhorancë, një parti politike, një qeveri, një kryeministër nuk mund të gjykohet dhe vlerësohet kurrsesi në raport me atë që dikush prej nesh, apo secili prej nesh mund të kryejë gjatë ushtrimit të detyrës. Standardi përcaktohet nga mënyra se si reflektohet dhe reagohet, dhe reflektimi i menjëhershëm i kryeministrit Berisha natën e kaluar tregoi standardin e kësaj mazhorance. Këtë standard opozita nuk e ka pasur kurrë”, u shpreh keu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, duke shtuar se “kjo është opozita që vazhdon të bashkë udhëtojë me skandalin”. Duke sjellë në vëmendje standardet e vendosura nga kjo qeveri, Patozi u shpreh se “edhe për raste që kanë qenë krejtësisht të pavërteta dhe të pabazuara, ministra të kësaj qeverie kanë dhënë dorëheqjen”. Zëvendëskryeministri Genc Pollo, u shpreh dje në Kuvend se reagimi i menjëhershëm i kryeministrit Berisha për shkarkimin e Pangos, është standardi që ka vendosur kjo qeveri për ata që abuzojnë me detyrën. Gjatë debatit të lirë në seancën plenare, zv/kryeministri Pollo vuri në dukje se shkarkimi i menjëhershëm i deputetit Ylli Pango nga posti i ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, është dëshmia se kjo mazhorancë nuk toleron abuzivizmin. Ai vuri në dukje se edhe në rastet që është përfolur në mënyrë gjysmë të besueshme, por publike, ka pasur dorëheqje duke dëshmuar marrjen e përgjegjësisë individuale. “Dua të përmend ish-kryetarin e PS-së, i cili në periudhën e katarsisit përmendi 12 raste konkrete të shoqëruara me emra konkretë të abuzimeve në detyrë për favore të tilla, jo të mbetura në tentativë, por të kryera. Edhe pse prisnim që të kishte shkarkime apo dorëheqje, për fat të keq edhe me përfundimin e katarsisit apo ndryshimin e qeverisë, kjo gjë nuk ndodhi”, nënvizoi Pollo.
...