Himara hap sezonin turistik, Tavo: Presim rritje të numrit të turistëve

TIRANË, 3 maj /ATSH/ Himara çeli sot sezonin e ri turistik me festivalin dyditor “Magji mbi Jon”. Të pranishëm në çeljen e sezonit turistik ishin kryeministri edhe Edi Rama, si dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Në fjalën e hapjes, kryetari i bashkisë së Himarës Vangjel Tavo tha se çelja e sezonit është një udhëtim i përbashkët drejt së bukurës.
“Me një ndjenjë krenarie dhe përulësie ju përshëndes sot në emër të bashkisë së Himarës në këtë ditë që për ne nuk është thjeshtë një datë kalendarike, por një festë e shpirtit dhe natyrës çelja e sezonit turistik 2025. Prania juaj këtu dhe veçanërisht e Kryeministrit është një garanci që përpjekjet tona për të bërë këtë cep të Shqipërisë jo vetëm më të njohur, por më të dashur më të jetueshëm dhe më të begatë. Himara është një poezi që Zoti e ka shkruar me ujë dhe gurë, me gjelbërim dhe aromë ulliri, me histori të lashtë, e bukur jo vetëm për syrin, por për zemrën dhe shpirtin. Zona jonë është e bekuar me detin e kristaltë dhe gatime tradicionale, që e bën çdo vizitë këtu një përvojë të paharrueshme Sezoni që çelim sot është një udhëtim i përbashkët drejt së bukurës, drejt zhvillimit që nuk shkatërron por ruan, që nuk shfrytëzon por ndërton”, tha Tavo.
Tavo theksoi se “këtë vit kemi përmirësuar rrugët që të çojnë në fshatrat tona, kemi pastruar brigjet kemi rritur shërbimet dhe sigurinë për çdo njeri që zgjedh të prekë me këmbë këtë tokë të bekuar. Më mbështetjen e veçantë të qeverisë janë realizuar investime jetike të Himarën dhe jemi në përgatitje të projekteve që do ta çojnë Himarën përtej horizonteve të saj, pjesë të hartës dhe destinacioneve që frymëzojnë”.
“Duke ardhur këtu ju përgjigja një vërejtje të kryeministrit, i cili më tha: “Çfarë është kjo rrugë, pse nuk e keni asfaltuar?”. I sqarova kryeministrit se ne nuk shtrojmë rrugë elektorale, ne duam të shtrojmë rrugë të Himarës me cilësi. Kjo është arsyeja, të nderuar pjesëmarrës, se pse këto rrugë nuk kanë përfunduar dhe pritet që javën tjetër të ketë përfunduar, por gjithmonë duke ruajtur cilësinë dhe standardin”, tha Tavo.
Tavo u shpreh më tej se “në këtë sezon presim rritje të numrit të turistëve dhe kemi besim se do të jetë një vit i suksesshëm për të gjithë për bizneset lokale, të rinjtë që angazhohen në sezon dhe gjithë komunitetin tonë”.
“Sot u bëj thirrje çdo qytetari të Himarës: le të jemi ne fytyra më e mirë e vendit tonë me mirëpritje që nuk pret shpërblim, me pastërti që nuk kërkon duartrokitje dhe korrektësi që buron nga ndërgjegjja. Himara do ju presë me portën hapur, me detin, malin dhe njerëzit që dinë të thonë “mirë se erdhe” pa fjalë të mëdha, por me zemër të pastër”, tha Tavo.
/r.e/