Kumbaro: Himara industri e turizmit, dyfishuam hapësirat publike në plazhe

HIMARË, 3 maj/ATSH Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro deklaroi sonte në hapjen e sezonit turistik në Himarë se së bashku me 12 kryetarët e bashkive kanë marrë të gjitha masat për një sezon turistik të qetë dhe të sigurt.
Gjatë fjalës, Kumbaro vlerësoi bashkëpunimin me kreun e Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo për ta vënë Himarën në krye të kalendarit turistik.
“Kemi nisur një punë të gjatë dhe tani jemi gati për plazhet. Me të 12 kryetarët e Bashkive kam pasur një punë shumë intensive pasi mbyllëm sezoni turistik të vitit të kaluar për të përgatitur rregulla të reja në interes dhe favor të publikut duke dyfishuar hapësirat publike dhe Himara është një ndër plazhet më të bukura publike që frekuentohen”, deklaroi ministrja.
Kumbaro tha se me Bashkinë e Himarës kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë në këtë drejtim dhe ka marrë masa për të mirëpritur turistët e plazhit me plazhe publike, me shërbim, me siguri, me standarde. Do jetë një vit shumë sfidues për bashkitë e plazheve sepse do duhet të jenë ato kryesoret në garë për pastërti, siguri dhe për bukuri”, tha ajo.
Ajo apeloi për bashkëpunim nga të gjithë aktorët, qytetarët, bizneset, operatorë turistikë për t’ia dalë së bashku kësaj sfide, duke theksuar se “turistët na kanë sfiduar sepse prilli ishte plot”.
“Himara po bëhet tashmë turizmi gjithëvjetor dhe kjo flet për një shpirt të ri dhe frymë të re dhe për atë që sot e kemi më në fund, industri të turizmit. Prandaj ejani në Himarë në çdo stinë dhe në çdo muaj pasi ka gjithmonë diçka për të ju ofruar jo vetëm me plazhin, por edhe malin, jo vetëm me detin por edhe trashëgiminë kulturore”, u shpreh ministrja e Turizmit dhe Mjedisit.