E Diel, 1 Nëntor 2026

Himarë/ Tavo: Situata nën kontroll, nuk ka rrezik për banorët, vijon vlerësimi i dëmeve

HIMARË, 5 shtator/ATSH/ – Himara ka kaluar një natë të vështirë për shkak të zjarrit, ndërsa situata aktualisht është nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për banorët apo zonat e banuara.

Kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, bëri të ditur se falë angazhimit të forcave zjarrfikëse dhe strukturave të emergjencave të Bashkisë Himarë, si dhe mbështetjes së Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes dhe forcave zjarrfikëse të ardhura nga bashkitë e tjera, u shmangën pasoja të rënda në zonat e banuara dhe bizneset.

“Nata dhe era ishin në disfavorin tonë. Me ardhjen e ditës, operacionit në terren iu bashkua edhe ndihma nga ajri nëpërmjet helikopterëve, për shuarjen e vatrave të fundit të zjarrit që vijonin të ishin aktive”, u shpreh Tavo.

Ai theksoi se strukturat përgjegjëse vijojnë punën në terren për monitorimin e situatës dhe evidentimin e dëmeve.

“Fatmirësisht, nuk pati viktima apo persona të lënduar”, deklaroi Tavo.

Gjatë ditës, Bashkia Himarë, në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe strukturat e emergjencave, do të vijojë identifikimin dhe vlerësimin e dëmeve, si dhe evidentimin e rasteve që kanë nevojë për ndihmë urgjente për akomodim, rikuperim të dëmeve apo mbështetje të çdo lloji tjetër.

Tavo shprehu një falënderim të veçantë për zjarrfikësit dhe të gjithë punonjësit e angazhuar në operacion, qytetarët që kontribuuan në luftën me zjarrin, si dhe banorët që iu përgjigjën thirrjes për evakuim nga zonat e rrezikuara.

“Tani është koha të mbështesim njëri-tjetrin dhe të punojmë për të rikuperuar dëmet e shkaktuara”, përfundoi Tavo.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›