Zjarri në Himarë, prefektja e Vlorës: 36 banorë të evakuuar

TIRANË, 5 shtator /ATSH/ Prefektura e Qarkut Vlorë njoftoi sot se situata e krijuar nga zjarret në Himarë po vijon që të monitorohet, ndërsa në terren janë angazhuar forca të shumta zjarrfikëse dhe të Forcave të Armatosura.
Prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Allushi, tha se situata në orët e para të mëngjesit është përmirësuar dhe mbahet nën kontroll. Sipas saj, që prej mbrëmjes së kaluar në operacion janë angazhuar MZSH-të e Himarës, ndërsa në ndihmë kanë mbërritur edhe forca nga Delvina, Vlora dhe Saranda.
“Jemi sërish në terren duke monitoruar situatën me të gjitha forcat të cilat janë prezente që nga mbrëmja e djeshme”, deklaroi prefektja.
Në operacion janë përfshirë forcat e MZSH-së nga Himara, Delvina, Vlora dhe Saranda, si dhe Forcat e Armatosura.
“Janë rreth 170 efektivë të cilët janë të përfshirë në këtë operacion”, tha Alushi.
Ndërkohë, helikopteri i parë ka nisur ndërhyrjen nga ajri, ndërsa autoritetet presin edhe një tjetër për të vijuar operacionin.
Sa i përket dëmeve, prefektja konfirmoi se janë prekur 6 banesa, 3 të banuara dhe 3 të pabanuara.
“36 banorë janë evakuuar, por jo sepse kemi pasur rrezik për djegien e banesave të tyre, por për efekte parandalimi”, sqaroi ajo.
Një prej zonave ku vijon përqendrimi i forcave është Kodra e Pilurit, ndërsa sipas prefektes rreziku në Potam është neutralizuar dhe nuk paraqet më kërcënim për zonën e banuar.
“Nuk ka rrezik për zonën e banuar, ky rrezik është neutralizuar”, tha ajo.
Sipas saj vlerësimi i plotë i dëmeve pritet të bëhet pasi rreziku të konsiderohet i kaluar plotësisht.
/m.q/ /a.g/